51 viktima nga tërmeti/ Vdes në spital 20-vjeçarja, i ra një tullë në kokë duke dalë nga pallati në Kombinat (VIDEO)

TIRANE- Rëndohet bilanci tragjik i viktimave të tërmetit të 26 nëntorit duke e çuar në 51 numrin e jetëve të humbura. Këtë mesditë u shënua viktima e parë në Tiranë, ku Xhesika Biqiku 20 vjeç ndërroi jetë në Spitalin e Traumës pas një goditje të fortë që kishte marrë në kokë nga një tullë e rënë nga kati i pestë në pallatin ku ajo jetonte, në zonën e Kombinatit në Tiranë. Pas tre ditëve në koma e reja u shua ditën e sotme, ndërsa ishte e pamundur që ajo të transportohej për mjekim të specializuar jashtë vendit siç ndodhi me dy të mbijetuar të tjerë, 17-vjeçarin Ramë Lala dhe Albert Carën nga shembja e pallatit në Thumanë.

Pallati në Kombinat është ndërtuar në vitin 1972, ndërsa shpëtuan babai, nëna e saj dhe motra tjetër më e madhe.

 Xhesika sapo kishte nisur studimet për Arkeologji në Universitetin e Tiranës.

Në një thirrje përlotëse që babai i Xhesikës, Ilia Biqiku bëri dy ditë më parë për Report Tv për trajtimin mjekësor të së bijës në Itali, ai tregoi se vajza u dëmtua kur sapo dilnin nga pallati. Tullat nisën të bien nga kati i pestë, ku të gjithë morën dëmtime, por Xhesikës i ra një tullë në kokë duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në tru. Bashkë me zërin e dridhur dhe lutjet përlotëse për jetën e së bijës, babai rrëqethi kur tha se më mirë të kishte vdekur ai sesa vajza e vogël teksa lëngonte ende në shtratin e spitalit. "Nëse nuk do të isha penguar teksa dilnim, - tha babai - Xhesika do të kishte shpëtuar".

Xhesika 20-vjeçare është viktima e parë që shënohet nga dëmet prej tërmetit në qytetin e Tiranës. 50 jetët e tjera u këputën në mes nga dëmet e mëdha në Durrës dhe Thumanë të Fushë-Krujës ku pallatet e hotelet që morën jetën, u kthyen në gërmadha.

Ditën e sotme u ndërprenë zyrtarisht operacionet e kërkim shpëtimit, që do të thotë se nuk ka më asnjë person nën rrënoja. Kërkimet e fundit po bëheshin në hotel MiraMare në Durrës, pas dyshimeve se mund të ishte një trup nën rrënoja.

Viktima e 51 Xhesika Biqiku

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:39
Ëndrra e prerë në mes! Të afërmit e Xhesikës: Sa e mirë ishte, çfarë bëri keq? Ulërintë për ndihmë duke zbritur shkallët...Nuk kemi fjalë

Ëndrra e Xhesika Biqikut për t'u bërë arkeologe u ndërpre në mes.

Në pallatin ku Xhesika u rrit në Kombinat dëgjohen vetëm zërat vajtues të të afërmeve të cilët mes lotësh, rrëfejnë përpjekjet e 20-vjeçares për të mbijetuar natën e tmerrit.

“E njihnim Xhesikën. Gjynah! Vajzë e urtë, vajzë e sjellshme dhe e vuajtur. Sa të mira që ishin, çfarë bëri keq? Ulërinte atë natë ndihmë, ndihmë, ne ishim duke zbritur shkallët në ato moment. Një djalë e ka marrë me makinë. I ati vetëm ulërinte, ndihmë në ndihmoni! Nuk kemi çfarë themi, vajzë e re", shprehen të afërmit.

E tronditur shprehet dhe Valbona e cila është rritur me të.

“Një vajzë shumë e mirë, jemi rritur bashkë, jemi shumë të tronditur nga lajmi që morëm tani se Xhesika ka ndërruar jetë”, thotë Valbona.

1575124156_xhesikabiqiku.jpg

Valbona dhe Xhesika Biqiku
Ora 12:47
Pallati në Kombinat që u dëmtua nga tërmeti...Tulla e rënë nga kati i 5-të i mori jetën Xhesikës 20-vjeçare

Ky është pallati në zonën e Kombinatit në Tiranë që ditën e tërmetit të së martës u dëmtua. Fatkeqësisht tullat e rëna nga kati i pestë i ranë në kokë 20-vjeçares Xhesika Biqiku e cila ndërroi jetë në spitalin e Traumës pas tre ditësh në koma. Xhesika doli me familjarët e saj nga banesa pas tërmetit të fuqishëm, por teksa babai nëna dhe motra shpëtuan duke pësuar dëme më të lehta, ajo mori një goditje të fortë në kokë nga tulla që i ra nga lart. Pallati është ndërtuar në vitin 1972. 

Ora 12:43
'Thuaju një llaf të mirë të ma çojnë gocën në Itali...', lutja e dëshpëruar e babit për Ramën, sot humbi vajzën tek Trauma

Një lajm tragjik vjen nga spitali i Traumës, ku ka humbur jetën 20-vjeçarja Xhesika Biqiku,  e cila prej tre ditësh ishte në gjendje Kome për shkak se kishte dëmtime të rënda në kokë nga rënia e tullave gjatë tërmetit të 26-nëntorit. Ajo jetonte në një pallat në Kombinat, ku gjatë lëkundjeve së bashku me familjen e saj ishin munduar të largoheshin nga apartamenti ku jetonin por fati deshi që Xhesika të mos ia dilte dot.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm babai i saj, Ilia Biqiku u takua edhe me kryeministrin Rama tek zona e Kombinatit. Një lutje e trishtë u bë nga ai në drejtim të Kryeministrit teksa i kërkonte ta dërgonte vajzën në Itali.

"Kam gocën në spital. Është në gjendje të rëndë tek Trauma. Erdhi doktori italian. Thuaju një llaf të mirë të ma çojnë në Itali. Mbushi 20 vjeç. Kam edhe gocën e madhe të sakatuar."

Xhesika Biqiku ishte parashikuar që të nisej me helikopter në Itali që dy ditë më parë, por gjendja e saj e rënduar nuk e bëri të mundur diçka të tillë. Grupi i mjekëve italian pasi panë gjendjen e saj shëndetësore, vlerësuan se një lëvizje e trupi të vajzës 20-vjeçare për të transportuar në helikopter do të ishte fatale. Megjithëse mjekët u munduan ta mbanin në jetë Xhesika nuk ia doli dot. Sipas babai të saj, e reja kishte dëmtime të shumta në kokë që i kishin prekur edhe trurin.

1575113924_biqiku.jpg

Ora 12:34
Lutjet që nuk u dëgjuan! Babai dy ditë më parë në Report Tv: Më mirë të vdes unë...Nëse s'do isha penguar Xhesi do kishte shpëtuar

Dy ditë më parë, në një lidhje telefonike për Report Tv, Ilia Biqiku, babai i 20-vjeçares Xhesika, që ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, i përlotur fliste për të bijën teksa lutej që ajo të shpëtonte dhe të bëhej mirë. Në momentin e tërmetit ai ka qenë në shtëpi me gruan dhe dy vajzat, por kur kanë dalë jashtë kanë rënë tulalt e katit të pestë në Kombinat.  

"Tullat zunë gruan të parën, pastaj çunin, pastaj Xhesin. Xhesi do të kishte shpëtuar nëse unë nuk do të isha penguar. Unë u pengova aty dhe rashë nga tre metër larg. Aty tullat i kishin rënë gocës në kokë. Kur kthehem i thërras gruas thashë nuk cohem më kanë rënë tullat, i them gocës tjetër, më kanë rënë tullat. I marr dalë pas pallatit, pastaj del një makinë një çift, një çun dhe goc e re më çuan në spital direkt. Xhesika ka dëmtime në kokë. Na kanë thënë se ka dëmtime në tru dhe ka çarje nga llamarina. Trurin e  ka shumë të dëmtuar thanë mjekët. U thash çojeni në Itali, ju jeni ekspertë. Le të kisha vdekur unë, pro ajo goc e re, 20 vjeçe. Pallati është i pabanueshëm, i ka vënë shirit bashkia. Është ndërtuar në '72-shin. Kërkoj që të shkojë goca në Itali të shërohet dhe të gjej një banesë, ndonjë shtëpi përdhese që mos të vritemi më.  Unë flej në spital, nuk flej më në shtëpi. Më zë gjaku nuk hy dot ta shoh." tha Ilia Biqiku.

Ora 12:26
Shënohet viktima e parë në Tiranë nga tërmeti, vdes në spitalin e Traumës 20-vjeçarja që i ra tulla në kokë

1575113361_fb28daead0ea399a8ab08b067032e57820170111095805.jpg

Shkon në 51 numri i viktimave nga tërmeti, vdes në spitalin e Traumës 20-vjeçarja, Xhesika Biqiku. Ajo ishte në gjendje koma prej tre ditësh. 20-vjeçarja u aksidentua në momentin e tërmetit pasi po tentonte të largohej i ra një tullë në kokë.

Ora 10:30
50 viktima nga tërmeti/ Përfundon operacioni i kërkimt shpëtimit, nis vlerësimi i dëmevë në terren

1575113722_operacionet.jpg

Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar dhe tashmë zyrtarisht nuk ka më asnjë person të mbetur nën rrënoja. Përpjekjet që zgjatën për tre ditë më radhë nxorën nga rrënojat 47 viktima, 1 humbi jetën si pasojë e aksidentit nga tërmeti dhe 1 u hodh nga lartësia. Ministria e Mbrojtjes ka zyrtarizuar këtë informacion, ndërkohë që njofton se po bëhen saktësimet e fundit të gjeneraliteteve të viktimave përmes familjarëve.

"Zyrtarisht operacioni i kerkim shpetimit ne zonat Durres e Thumane, me te demtuarat nga termeti i 26 nentorit ka perfunduar. Ne 3 dite u nxorren nga rrenojat 50 viktima, permes operacionit ku moren pjese rreth 250 efektive te kerkim shpetimit nga Shqiperia, Kosova, Italia, Greqia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonian e Veriut, BE, Shtetet e Bashkuara te Amerikes etj. Po behen saktesimet e fundit te gjeneraliteteve te viktimave permes familjareve te tyre per te dale me pas me listen perfundimtare emerore. Lidhur me kerkimet e fundit ne MiraMare nuk eshte gjetur asnje trup. Pas kerkim shpetimit ne terren, eksperte shqiptar e vendas nisin punen per verifikimet e demeve ne terren. 47 persona te nxjerre nga rrenojat; 1 humbi jeten si pasoje e aksidentit pas demtimit nga termeti; 1 u hodh nga lartesia per shkak paniku; 1 pesoi infarkt pas goditjeve.", përfundon njoftimi.

Ora 18:11
Pezullohen kërkimet te hotel 'Mira Mare' në Durrës

Mbrëmjen e sotme rreth orës 18:00 janë pezulluar kërkimet për trupa të pajetë nën rrënojat e hotelit 'Mira Mare' në Durrës, për të rifilluar nesër në mëngjes. Poshtë rrënojave dyshohet se ndodhet edhe një trup i pajetë.

Ora 16:11
Nën rrënoja te 'Mira Mare' nuk ka të gjallë, fillon heqja me ekskavator e inerteve

Te hotel 'Mira Mare' në Durrës është pika e vetme ku dyshohet se ka një person nën rrënoja.  Por ekspertët e grupeve të kërkim shpëtimit nga verifikimet që kanë bërë përmes pajisjeve kanë dalë në konkluzionin edhe nëse ka një person, nuk ka mbijetuar duke shpejtuar heqjen e inerteve me ekskavator.  

Ora 13:46
'Qeni im nuhati diçka aty poshtë...' , vijojnë kërkimet në rrënojat e hotel 'Mira Mare-s'

Dy skuadra kërkim shpëtimi në Durrës po vijojnë kërkimet në të vetmen pikë që dyshohet se ka ende persona poshtë rrënojave, atë të hotel 'Mira Mares'.

Sipas drejtuesit të këtij operacioni edhe pse ditën e djeshme u mbyllën kërkimet, puna do të vijojë, pasin në operacionin e dytë, qeni nuhatës ka dhënë sinjal se poshtë rrënojave mund të jetë një tjetër person.

“Këtu ka skuadra nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Jemi përpjekur të futemi brenda kësaj ndërtese, pasi nuk kemi saktësisht një informacion nëse ka viktima apo njerëz në ndërtesë. Natën e kaluar qeni im nuhati diçka por nuk e dimë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë. Megjithatë ne po vijojmë të kërkojmë dhe po përpiqemi të futemi brenda kësaj ndërtese, por ky proces është shumë i vështirë pasi ndërtesa është e gjitha e shkatërruar. Shpresoj shumë qe ta realizojmë këtë”, ka thënë drejtuesi i ekipit malazez të kërkim-shpëtimit.

Ora 11:40
Shkon në 900 numri i të lënduarve nga tërmeti, gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë

Shkon në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit. 

Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç një person që paraqitet në gjendje më të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 350 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. 

Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë.

Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.

Ora 11:19
Ardi Veliu në mbështetje të kërkimeve tek hotel 'Mira Mare'

Teksa dy grupet e kërkim shpëtimit, ai i Malit të Zi dhe ai i Serbisë, vijojnë kërkimet në rrënojat e hotel Mira Mares, në këtë zonë ka shkuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu. Ky i fundit ka qenë edhe ditët e tjera në mbështetje të policisë dhe zjarrfikësit. Mendohet se nën rrënoja gjendet ende një person.

Ora 08:39
Hotel 'Mira Mare' të vetmet rrënoja ku po kërkohet, dyshohet për një person poshtë (VIDEO)

Pak pas mesnate, grupet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur dy trupat e fundit të pajetë nga rrënojat e dy ndërtesave të shembura në Durrës, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek "2 Gjelat" po në qytetin bregdetar.

Po pavarësisht se të gjithë trupat janë nxjerrë, lidhur edhe nga dëshmitë e njerëzve e familjarëve të cilët nuk raportojnë më për njerëz të humbur, pika e vetme ku po vijojnë kërkimet, janë rrënojat e hotel Mira Mare, ku dyshohet se ka ende një person nën to. Grupet që po punojnë për kërkim shpëtimin tek hotel Mira Mare, janë ato të Serbisë dhe të Malit të Zi. Këtë e ka konfirmuar edhe ministria e Mbrojtjes. Në gërmadhat e kësaj ndërtese u nxor i pajetë pasditen e djeshme 41-vjeçari, Sotiraq Misha, por dyshimet janë se nën rrënojat e këtij hoteli është edhe një person tjetër. 

Fillimisht grupi i kërkim-shpëtimit tek hotel Mira Mare i ndërpreu punime, por një grup kroatësh bënë kërkime fundit me qen nuhatës dhe mesa duket sinjali nga qentë është dhënë se nën rrënoja ka ende persona, kështu kërkimet do të vijojnë më tej.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pa koment...: 29/11/2019 17:53

    Ore, po ky nuk eshte termet. Po te ishte termet i vertete, do te ishin prishur shtepia e pallate rradhe, po ky ishte vetem nje seleksionim. Ne kete sens, keto tundje jane te mira, se prishen plehrat e ato qe jane per tu prishur. Ndertime pa pergjegjesi e me materiale te skaduara e te pakoaluduara. Tamam si ne Turqi, ku para shume viteve ra nje termet dhe nga pamjet qe jepte televizori, vetem pak shtepia ishin prishur komplet dhe shume e shume te tjera perreth as qe ishin prekur. Ore, e kuptojme qe neqoftese shkaterrohet fare njera ato perreth saj te demtohen e çahen e plasariten qofte edhe sado pak, po te mos preken fare shumica e te duken sikur sapo jane inaguruar dhe disa te shakterrohen krejt, kjo nuk don koment...

    Përgjigju
    • leti: 30/11/2019 16:12

      Kujdes kur flet cfare seleksionimi? Ai I ketyre njerzve si un e ti qe vdiqen duke pare jeten e tyre dhe familjareve tju ik para syve. Ke te drejte per ndertimet dhe shtetin e lige qe kemi por mbajini per vete keto tregojini ne vote dhe nje zeri, jo duke perdor keto njerez qe u prehshin te qete dhe me Zotin prane.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim