Tërmeti i së dielës në Tiranë ka dëmtuar 4 shtëpi në zonën e Zall Bastarit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi se skuadra e emergjencave ka kryer vlerësimin e situates dhe së shpejti, në Këshillin Bashkiak do të miratohen ndihma që nevojitet për riparimin e dëmeve. Ai rikujtoi se banorët e prekur edhe nga tërmeti i 2019, duhet besojnë te autoritetet dhe fjala e ekspertëve, jo të dëgjojnë politikën, të cilës sipas tij, nuk i intereson nëse nga tërmeti i radhës mund të ndodhë tragjedia e radhës.
“Duke qenë se jemi në një zonë sizmike, lipset të tregojmë kujdes për njëri-tjetrin, të kuptojmë nga eksperiencat e kaluara se si menaxhohen situatat pa panik, dhe të kemi besim te autoritetet si bashkia, emergjencat, zjarrfikëset, Policia e Shtetit dhe ata që merren me menaxhimin e situatave të tilla. Kjo do të thotë se, si në rastin kur kemi pasur problematikë me Pallatin nr.4 në Kinostudio, politika duhet të rrijë sa më larg. Nëse inxhinierët thonë se pallati duhet prishur, nëse Instituti i Ndërtimit e ka nxjerrë të një kategorie për t’u prishur, nëse qytetarët marrin bonusin e qirasë dhe kanë nënshkruar kontratat për shtëpitë, futja e politikës nëpër rrënoja dëmton qytetarët dhe jep edhe një shembull të keq se si mosbesimi, dyshimi, mashtrimi, lajmet e rreme mund të shkaktojnë fatkeqësi,” u shpreh ai.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u kërkoi banorëve të dëgjojnë zërin e ekspertëve, duke sjellë në vëmendje se çfarë do të kishte ndodhur nëse Pallatin nr.4, në rrugën “Myslym Keta” nuk do të ishte shembur.
“Imagjinoni sikur Bashkia e Tiranës të ishte tërhequr nga vendimmarrja për Pallatin nr. 4 vetëm sepse disa politikanë shkuan atje dhe mashtruan disa njerëz fatkeqë për 5 vota. Sikur ne të kishim dëgjuar politikën e mbrapshtë që thotë: “lërini njerëzit në rrënoja”, sot do të ishim duke folur ndryshe! Sot do ishim duke kërkuar përgjegjësit e atyre që i lanë njerëzit në rrënoja, ndërkohë që erdhi tërmeti i radhës. Jemi dakord të kemi pikëpamje të ndryshme, jemi dakord që të bëjmë debat, por nuk mund të pranojmë kurrë që për pesë vota të bëjmë mish për top fatet e njerëzve dhe ata fatkeqë, që kur shikojnë partitë politike, të shikojnë autoritetin e njerëzve të mençur, që kanë drejtuar shtetin, jo të sharlatanëve që, për disa vota, janë gati t’i kthejnë ato rrënoja në varreza,” theksoi kreu i bashkisë.