Vetë Rama, orë më vonë ka kujtuar dhe faktin se "pikërisht sot, kur mbushen 75 vjet nga vdekja e Migjenit, mes realitetit të Poemës së Mjerimit e ëndrrës së Këngëve të Rinisë, t'i themi "stop"rrënimit."
Konferenca e organizuar nga Partia Socialiste nisi në orën 10:30 në hotel "Sheraton" në Tiranë me pjesëmarrjen e 50 arkitektëve, planifikuesve urbanë, ekonomistëve nga e gjithë bota etj. Biseda fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm.
Ekspertët e huaj dhanë idenë e hartimit të Planit të Zhvillimit jo nga zero, por që nga ekspertiza e pushtetit vendor; ndalimin e ndërtimeve në bregdet me një moratorium dhe fillimin e pastrimit të ujërave dhe ambientit; mosndërtimin e rrugëve në bregdet, sepse ato ndikojnë në shkatërrimin e tij, qarkullimin me anije ndërmjet fshatrave bregdetare, studimin e zonave informale para se ato të prishen etj.
Duke hapur konferencën, kryeministri i ardhshëm Rama tha: “Jemi këtu me një grup të gjerë protagonistësh të zhvillimit në botën e sotme, planifikues urbanë, arkitektë e artistë të ardhur nga gjithë bota për të asistuar në përpjekjen e madhe të transformimit të një modeli të zhvillimit të vendit, që sot ka nevojë urgjente për të adresuar problemet e veta me një qasje të re. Me kohë kemi konstatuar se modeli i këtyre viteve ka shteruar duke hapur plagë të mëdha në jetën sociale dhe ekonominë e vendit. Zhvillimet në qytete u bënë kuturu, ndaj ndryshimi është po aq me rëndësi si në 92'. Fjala e Ramës në"Shqipëria e gjeneratës tjetër"
Sfidat tona janë të shumta, por në fokusin e këtij debati do jetë territori dhe ekonomia. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se pika më e dobët është hendeku në rritje mes asaj që ne ligjërojmë në letër dhe jetësojmë në realitet. E pra, këtu sfida nuk është të hartojmë plane të reja, por të vëmë piketat në rrugëtimin e vendit, ku vizioni, plani dhe jetësimi i planit të jenë bashkarisht të ndërthurur në çdo hap”.
RAMA: DO PERDORIM MJETET E EMERGJENCES PER TE DALE NGA SITUATA
"Unë dua të vë theksin se sot jemi në kushtet e një emergjence kombëtare dhe këtë situatë ta trajtojmë si të jashtëzakonshme me të gjitha mjetet e situatës së jashtëzakonshme,"- nënvizoi Rama. - "Ne nuk mund të rrimë e të presim që potencialet e mëdha të këtij vendi të zhbëhen para syve tanë. Ne po ashtu kemi sfidën e transformimit te territorit sëbashku me transformimin e jetës sociale të dhjetra mijërave shqiptarëve që janë afruar pranë qyteteve.
Për ne, aspektet sociale dhe ekonomike të vendit nuk mund të shihen të ndara. Duhet të mbyllet epoka ku paratë e shqiptarëve u investuan kuturu, rrugët u bënë kuturu, zhvillimet në rajon u bënë kuturu dhe duhet të hapet një epokë e re, ku një model zhvillimi i integruar synon zhvillimin e jetës së njerëzve në funksion të cilësisë së saj. Për këtë arsye ne do ndryshojmë edhe modelin e qeverisjes së territorit, do afrojmë edhe kapacitete që na afrohen nga jashtë duke ndjekur modelet e atyre vendeve që janë pjesë e familjes evropiane ku ne duam të integrohemi me të drejta të plota."
"TE KALOJME NE PLANE RAJONALE, SHTETIN NE DREJTIM TE TERRITORIT, JO INDIVIDI"
Lidhur me zhvillimin urban, Rama ndërhyri gjatë konferencës duke thënë: "Para se të vija këtu, fola me një ekspert nga Hollanda e do doja që ai të shpjegonte zhvillimin urban atje ai ku nuk shihet si proces i izoluar nga zhvillimi social. Një nga arsyet e falimentimit të planeve të territorit është se ato janë zhvilluar në kundërshtim me tendencën e zhvillimit social në Shqipëri, nisur që nga ndryshimet demografike të mëdha. Asnjëherë nuk u mor përsipër përballimi i qasjes me këtë sfidë të kohës. Të ashtuquajturat plane rregulluese kanë rezultuar tërësisht të padobishme për këta që janë stabilizuar rreth e qark qyteteve.
Komunat kufitare janë kthyer nga territore të zhvillimit rural në sheshe ndërtimi për banesa e vetëm banesa. Pra, ne duhet të kalojmë në plane rajonale. Një nga gjërat që duam të bëjmë është që ta vëmë shtetin nga një ndjekës impotent të zhvillimeve, në drejtues. Kjo është e mundur në rast se që nga ministrat e pastaj drejtuesit e niveleve të ndryshme do të kuptojnë atë që u tha këtu se duhet të shkrijmë kufijtë e vendosur mes sektorëve, mes administrative dhe të ndërtojmë një qasje të integruar. S’mund të bëjmë më plane si piktura në letër që s’kanë lidhje me realitetin për të marrë nga donatorët fonde për të ndërtuar strategjira pas strategjirash, sepse kemi krijuar një bibliotekë të madhe me letër të pavlefshme, "- vuri në dukje ai.
GRUPI I EKSPERTËVE: SI DUHET HARTUAR PLANI I ZHVILLIMIT
Grupet e ekspertëve të huaj janë ndarë në dy grupe dhe kanë dhënë idetë e tyre të para për zhvillimin e terrtitorit në Shqipëri. Përfaqësuesi i grupit të parë e nisi fjalën e tij me pyetjen: "Si duhet zhvilluar apo hartuar ky Plan Kombëtar I Zhvillimit të Territorit në kushtet kur nuk ekziston? Ky hartohet nëpëmjet një qasjejej gjithpërfshirëse në një process të gjërë konsultimi. Duhet shkuar në të gjitha rajonet e të flitet me njerëzit atje, që të integrohen të gjithë, si njerëzit, shoqëria civile,universitetet. Nuk ka pse të fillohet nga zero, por duke përdorur “tullat” që janë vënë më parë, si ekspertiza vendore psh., duhet përfshirë me publikun, që do marrë pjesë në të ardhmen e këtij plani.
Plani nuk është një doktrinë e përfunduar, por le mundësi për t’u shtjelluar më tej në aspektin afatgjatë, afatmesëm dhe afatgjatë. Plani është një udhërrëfyes për të pastruar vendin: të shihet gjendja e plehrave, e ndërtesave të rrënuara e më gjërë,"- tha përfaqësuesi i grupit për hartimin e Planit.
NDERTIMET E SE KALUARES, SI PIRAMIDA, KANE VLERA - TE TRANSFORMOHEN
Përfaqësuesi i grupit të dytë të arkistektëve dhe specialistëve të huaj dha mendimet e veta për zonën Tiranë-Durrës si dhe për bregdetin, që e kanë studiuar këto ditë, prej nga ka marrë edhe emrin ky grup studiuesish tashmë "Durana"
Për ndërtimet e periudhës së komunizmit, ekspertët thanë se nuk është e nevojshme të fshihet e kaluara kulturore, por të rinovohen vlerat kulturore. "Piramida" për vizitorët që vijnë në Tiranë është ndër pikat kryesore dhe nga jashtë ka vlera, por brenda ajo është e pasuksesshme. Ne sugjerojmë që të përfundohet pjesa e jashtme, të kthehet në një zonë ku mund të rrëshqasin fëmijët ndërsa pjesa e brendshme të hapet dhe te bëhet një sallë për performanca apo leksione”. Edhe për vilën e ish-diktatorit Hoxha, ata gjykuan se mund të shërbejë "si eksperiment politik, vend ku inovatorët ose filozofët e ardhshëm të jepnin ide specifike”.
IDETE PER BREGDETIN: SA ME PAK RRUGE PER ATJE
Përfaqësuesi i grupit për bregdetin dha idetë e grupit të tij për zhvillimin e bregdetit. Ai tha: “Gjithçka që shihet nga deti quhet zonë bregdetare dhe për këtë ligje të veçanta. Vende të ndryshme nuk lejojnë ndërtime deri në 1 km larg vijës bregdetare.
Detyra e parë është që të bëhet një listë, një vrojtim i asaj që është bërë deri tani. Duhet një moratorium që të mos lejohet asnjë ndërtim në vijën bregdetare dhe një kuadër ligjor se cilat zona duhen zhvilluar.
Sa më shumë rrugë të ndërtohen, aq më shumë do të rrezikohet bregdeti. Nëse njerëzit do shkojnë në bregdet me rrugë, aq më shumë do ta keqpërdorin. Psh, në Kroaci, në shumë fshtra shkohet me anije dhe kjo është më e mira.
Kemi dëgjuar për një sistem kombëtar të rojtarëve të pyllit, që kontrollojnë atë që ndërtohet aty dhe një listë detyrash për vijën bregdetare, pjesë e një moratoriumi që ndalon
ndërtimet, sidomos industriale në bregdet, përfshirë edhe lumenjtë që derdhin ujërat në det. Gjithashtu, politika që plazhet mund të jenë të hapura për gjithkënd, vlen por do nisur nga pastrimi, veçanrisht pastrimii i ujërave.”
NDERTIMET INFORMALE, TE PRISHEN APO JO. PERVOJA BRAZILIANE
Çeshtja e legalizimit të banesave informale duhet nisur që nga pagesa e taksave, që njerëzit të shohin ku venë paratë e tyre. Më pas të bëhet një studim i plotë nëse duhen bërë prishje, tha ndër të tjera një ekspert urbanist nga Brazili.
PELESHI: JEMI NË NISJEN HISTORIKE TË PROCESIT
Zv.Kryeministri i ardhshëm, Niko Peleshi, tha: “Kjo e sotmja nuk është një zhvillim, por një rinisje historike nga fillimi dhe që përkon me fundin e tranzicionit shqiptar. Me këtë takim ne duam të marrim ide, që mund të jenë edhe të kundërta, po ne që jemi këtu për të ndërtuar ato qëndra që po diskutohen, e dimë që pjesëmarrja e profesionistëve shqiptarë të fushës do jetë e pashmangshme."
GJERMENI: DUAM MODELET MË TË MIRA TË RAJONIT
Eglantina Gjermeni, e cila do të mbulojë fushën e turizmit në qeverinë “Rama” tha se ne synojmë të marrim modelet më të mira të rajonit dhe do të mbështetemi në atë që është bërë më mirë deri tani.”
EKSPERTI: PSE TË KOPJONI KALIFORNINË KUR KENI SPECIFIKAT TUAJA
Eksperti hollandez i ftuar nga Rama për të folur tha: "Të bësh një projektim për një qytet dhe një Shqipëri me 3 milionë do të thotë se ëështë një ëndërr fantastike dhe do një ekip të mirë, që të krijohet ky integrim që ne sugjerojmë.
Si ekonomist unë nuk e di se cila është vlera se ku duhet investuar më mirë, psh. ndërmjet një rruge drejt Selanikut apo disa rrugëve të vogla në zona malore, por si arkitekt unë mund të lehtësoj vetëm zgjedhjet që duhen bërë.
Mendoj se ka sociologë që mund të shkruajnë për gjëra që arkitektët nuk i bëjnë sot, se njohin një vend të caktuar dhe historinë e tij. Kjo krijon një pasqyrë për urbanistin që në fund, e kthen atë pasqyrë, atë histori në shërbim të asaj shoqërie. Në këtë moment ju mund të dëshironi të kopjoni Kaliforninë, por unë mendoj se jeni vendi i vetëm në Evropë që mund të përdorni specifikat tuaj për planin e zhvillimit, "- tha ai.
RAMA NJOFTON: KONFERENCA PREJ NGA KU MUND TE MERREN LEKSIONE
Kreu i ri i qeverisë së shtatorit, Rama , njoftoi sot në mëngjes për fillimin e konferencës, nga e cila do të ketë "leksione për t'u marrë." E po ashtu, më vonë, rreth orës 15:30, ai shton: "Dikush me shkruan: sot 75 vjet nga vdekja e Migjenit, mes realitetit të Poemës së Mjerimit e endrrës së Këngëve të Rinisë t'i themi "stop"rrënimit."
Pas dy dite vizitash studimore e diskutimesh, nis sot ne 10.30 konferenca nderkombetare Shqiperia e Gjenerates tjeter #Leksionepertumarre
— Edi Rama (@ediramaal) August 26, 2013
“Një Konferencë për territorin dhe ekonominë; një hapësirë diskutimi me arkitektë, urbanistë, artistë dhe ekonomistë, financierë, menaxherë, ku do të ballafaqojmë ide, do të marrim opinione, sugjerime. Do të vendosim një kontakt që synon të jetë i vazhdueshëm në funksion të një transformimi rrënjësor të atyre potencialeve të mëdha që Shqipëria i ka si dhuratë, nga Zoti apo nga natyra, por që në gjithë këto vite janë dëmtuar në mënyrë shumë të ndjeshme dhe kërcënuese për të ardhmen”, u shpreh dje Rama në përfundim të vizitave të qytetin e Durrësit.
Për dy ditë arkitektët dhe urbanistët e ftuar nga Partia Socialiste u shoqëruan në një tur njohës nëpër Shqipëri. Të shoqëruar nga ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, si dhe arkitektë e specialistë të fushës së urbanistikës dhe trashëgimisë kulturore, mes të cilëve edhe artisti figurativ Anri Sala apo arkitekti Artan Shkreli 50 pjesëmarrësit në këtë konferencë zhvilluan një tur vizitash në disa nga pikat më të rëndësishme me interes arkitekturor dhe historik të kryeqytetit. Ata janë njohur me historikun e këtyre ndërtimeve e bashkë me to edhe të historikun e zhvillimit urbanistik të Tiranës. Ata u ndalën tek Piramida, apo Pallati i Brigadave më pas edhe në disa nga zonat informale, si në Paskuqan, Kamëz dhe zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)