Banorët e Divjakës janë ngritur për të dhjetën ditë në protestë, kundër propozimit të PS për hartën e re territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46. Projekti parashikon edhe shkrirjen e bashkisë Divjakë më atë të Lushnjës.
Edhe pse ditë e diel, numri i protestuesve që janë mbledhur në shesh sot nuk është ulur. Kërkesat e protestuesve konvergojnë të gjitha në ruajtjen e bashkisë së Divjakës si institucion i pushtetit vendor.
Ashtu si të gjithë netët e tjera, paralel me mbajtjen e protestës vazhdon të firmoset peticioni që do t'i dërgohet institucioneve të shtetit shqiptar kundër shkrirjes së bashkisë.
Ndërkohë banorët pretendojnë se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre për mos ‘shuarjen’ e bashkisë Divjakë. Ata thonë se në rast se bashkia Divjakë do të shkrihet, do e kenë shumë të vështirë që të marrin shërbimet në bashkinë e Lushnjës.
“Nga njësitë Grabian, Çerma dhe Gradishta, për shumë prej tyre përfshirë edhe mua, ju është bërë presion për të mos dalë në protestë. Me justifikimin që po dolët, do identifikoheni si kundërshtarë të partisë”, tha një prej protestuesve.
“Këtu në protestë ne jemi mbledhur jo për të mbrojtur karrigen e dikujt, as për ngjyra politike, por për të drejtën tonë që e kemi marrë prej vitesh nga Qeveria. I bëjmë thirrje kryeministrit që propozimi i tij për të shkrirë bashkinë e Divjakës është i papranueshëm. Divjaka është bashki e madhe dhe e menaxhojmë vetë. I lutemi qeverisë që me Lushnjën, të jemi dy bashki dhe të punojmë përpara. Duan të na heqin folenë, shtëpinë tonë. Populli i Divjakës është shumë i lodhur, nuk ka kohë që të shkojë e të marrë shërbime në Lushnjë”, tha një tjetër protestuese.
Në fund të tubimit, protestuesit zhvilluan ritualin e përnatshëm të marshimit në rrugët e qytetit, duke kërkuar edhe mbështetjen e banorëve të tjerë të zonës.











Komente
Komento