53 pyetjet e opozitës për reformën territoriale të socialistëve nuk morën asnjë përgjigje, tha Gazment Bardhi pas prezantimit të Arbjan Maznikut. Kreu i grupit të PD përsëriti pyetjen se cilat janë kriteret dhe parametrat e ndjekur që disa bashki ruhen e të tjera shkrihen. Ajo që theksoi është se qytetarët dhe vendimet e këshillave bashkiakë nuk janë dëgjuar dhe mazhoranca i ka qëndruar besnike interesave të saj politike.
“Deputetët e opozitës u paraqitën nismëtarëve 53 pyetje, nga të cilat morëm 0 përgjigje. Kjo tregon shumë për cilësinë e projektit që është sjellë sot në seancë plenare. Mazniku duhet të na i shpjegojë këtu me parametra e tabelë se i ka shumë qejf, si janë parametrat e Divjakës dhe Vaut të Dejës. A ndjek kjo reformë parim e standarde? Të vijë e të na i shpjegojë.
Procesi i dëgjimit duhet të përfshijë si kusht minimal qytetarët e zonave që preken nga reforma dhe një proces diskutimi ku jo vetëm të paraqitet varianti përfundimtar që do të miratohet, por të jetë i hapur për ndryshime sipas sugjerimit të komuniteteve. Sugjerim i certifikuar me vendim të këshillit bashkiak të 15 bashkive, është që nuk duan të bashkohen. Keni detyrim kushtetues të dëgjoni mendimin e tyre. Kriteri juaj janë pazaret politike”, tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- ‘Territorialja’ në Kuvend/ PD: Po asgjësoni 15 bashki pa konsultim, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim nuk largohet, qytetet përfaqësohen në këshilla në bazë të popullsisë






