Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po shkel ligjin me reformën territoriale, pasi sipas tij nuk është marrë mendimi i banorëve të bashkive që preken nga ndarja e re. Bardhi kundërshtoi shkrirjen e Bashkisë së Divjakës, ndërsa ngriti pikëpyetje për mbajtjen e Bashkisë së Vaut të Dejës duke pretenduar se kjo lidhet me interesat politike të Tom Doshit.

"Ligji të detyron që në relacion të përfshish mendimin e popullatës. Në relacion ke thënë që nuk e ke marrë mendimin e popullatës. Si futet në procedurë një iniciativë që shkel ligjin? Nuk ka mendime të qytetarëve që preken nga reforma. Si të futem të votoj kur më mungon një element që ligji e ka të detyrueshëm?

Me çfarë logjike shkrihet Bashkia e Divjakës dhe mbahet në këmbë, që për ne duhet të qëndrojë në këmbë, Vau i Dejës? Ta kërkoi Tom Doshi, se e ka bashki personale? Ka rënë numri i banorëve, prandaj po i shkrijnë bashkitë. Këtë shpopullim a nuk e solli reforma juaj e vitit 2015? Tani të shpopullojmë edhe 15 bashkitë që shkrijmë", tha Bardhi. 


Lajmi kryesor:

Kuvend/ 14 orë debat për ‘Territorialen’! PD: Po asgjësoni 15 bashki, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim s’largohet! Sinaj pendohet, Braçe kritika të ashpra