Idetë e partive politike për ndarjen e hartës territoriale tanimë janë mbi tavolinë, PS kërkon 46 Bashki ndërsa PD kërkon plotë 100 të tilla. Teksa pakti për të bërë një reformë të përbashkët është prishur, Partia Demokratike propozon që palët t’i drejtohen popullit.

“Çdo komunitet që ka vërejtje, që kërkon të arrijë të përfaqësohet në bazë të identitetit, parametrave kryesorë të zhvillimit ekonomik, të shërbimit, të largësisë apo afërsisë, mund të sjellë kërkesë pranë komisionit tonë, në Partinë Demokratike, sikurse dhe komunitete që nuk duan të ndahen. Domethënë jemi të hapur në këtë pikë. Por, sfida më kryesore është: ftojmë politikën, mazhorancën, ftojmë dhe qytetarët të realizojmë referendumin. Dy projekte të hidhen në referendum, dhe të jetë qytetari ai që vendos dhe që përcakton se cili është modeli që i shkon më afër interesit të tij, që i ofron shërbime, që ofron përfaqësim, që ofron llogaridhënie, që ofron zhvillim ekonomik, që ofron shërbim arsimor, shërbim shëndetësor, shërbim social, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Boçi.

Duke këmbëngulur se ulja e numrit të bashkive është në dëm të qytetarëve kryedemokrati Sali Berisha mori një shembull konkret.

“Reforma që u përdor në vitin 2014, që solli nga 410 njësi vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, gjithsej 61 bashki apo njësi të qeverisjes vendore, ishte goditja më e rëndë që ajo që mund ta quajmë Shqipëria rurale, mori, dhe në tërësi Shqipëria, pasi pa Shqipëri rurale të zhvilluar nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar. Mbi 45 përqind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj.

Humbi të gjithë perspektivën e jetesës në komunat ku jetonin. Koha për Shqipërinë rurale ndaloi. Unë ftoj mediat të shkojnë në ish-komunën Shëngjergj, tani është fshati Shëngjergj, ishte një miku im, prandaj po ua them, çfarë i thanë: nga viti 2013 gjer sot, në këtë zonë nuk është investuar një qindarkë. Por u them unë ju, se në atë zonë dhe përtej asaj zone, janë disa nga potencialet malore turistike më mahnitëse të vendit. Por përtej Shëngjergjit, për të ecur përtej tyre, rruga është vështirësisht e kalueshme. Shkoni në çdo komunë. Asnjë investim”, u shpreh Berisha.

Edhe prishjen e paktit me PD nga ana e PS-së Berisha e lidhi me pakënaqësinë që kanë sipas tij qytetarët me  uljen e numrin të bashkive

“Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur. E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe dhe se kudo që shkuan në konsulta, u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD. U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që nuk u paraqit në komision, që nuk mund të paraqitej kurrë në parlament, dhe e publikoi atë në të cilin tregon se në krimin e tij monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës”, vijoi Berisha.

Sipas Partisë Demokratike Partia Socialiste shkeli ligjin kur depozitoi draftin si nismë e një deputeti, ndërsa fton komunitetet e prekura të protestojnë!

Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas tij, shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit. 39 njësi vendore të reja shtohen kryesisht në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
Emërimi i Jola Hysës në krye të Agjencisë së Turizmit, Berisha: Korruptimi dhe rrënimi i opozitës, politikë e Ramës

Emërimi i ish-Sekretares së PD, Jola Hysës në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit është korruptim i opozitës nga Edi Rama, shprehet Berisha. Sipas tij, kryeministri ka politikë kryesore rrënimin e opozitës, ku në këtë pikë ka edhe njerëz që shiten e blihen.

“Në një narkoshtet të bazuar në drogën, korrupsionin dhe vjedhjen, natyrisht korruptimi i opozitës, burgosja e opozitës, rrënimi i opozitës është politikë kryesore e diktatorit Edi Rama. Në këtë kuadër gjenden edhe individë që shiten dhe blihen sipas tregut të qeverisë. Por i sigurt të jesh që opozita qëndron më e vendosur dhe më e pamposhtur se kurrë sot ndaj tij dhe e gatshme të bëjë gjithçka për largimin e tij nga pushteti. Kjo pa asnjë dyshim. Por, një njeri që bazon qeverisjen në akte të tilla, tregon se sa primitiv është si njeri. Megjithatë, unë i përshëndes ata socialistë që dogjën dokumentet e partisë së krimit dje. Ata provuan që nuk kanë lidhje me krimin. U distancuan. Edi Rama përpiqet në çdo variant, por në fakt është absolutisht i pashpresë. Është një kufomë e pakallur. Do kallet politikisht”, tha Berisha.