Debatet me tone të forta në mbledhjen e djeshme që kryeministri Edi Rama kishte thirrur në Kuç të Vlorës me kryetarët e bashkive të prekura nga ndarja e re territoriale, shihen nga opozita si pasqyra e mënyrës se si kreu i qeverisë ka ndërtuar pushtetin. 

Luçiano Boçi, bashkëkryetari i opozitës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar thotë se mbledhja ka degraduar deri në presione të hapura të kryeministrit.

“'Kush del kundër ndarjes, me qëndrime dhe vendime, e ka personale me mua.' Kështu e mbylli luftën e shpallur dje ndaj kryetarëve e këshillave rebelë, Rama. Kjo fjali nuk është thjesht një shpërthim nervozizmi momental i tij. Është përmbledhja më e sinqertë e mënyrës se si ai e koncepton pushtetin. Për të çdo mendim ndryshe nuk është qëndrim institucional, por sulm personal ndaj tij”, ka shkruar mes të tjerash Boçi.

Report tv mësoi se Rama kishte zhvilluar debate të forta me 4 prej kryetarëve të bashkive që preken nga reforma, me Adratik Zotkajn e Poliçanit, Juliana Memajn e Dimalit, si dhe kryetarët e bashkive Dimal e Selenicë. Sipas burimeve, Rama i ka konsideruar ata, si nxitës të reagimeve të forta në komunitetet e tyre kundër hartës territoriale.

Megjithatë, bashkitë e prekura kanë deklaruar se do të ndjekin rrugën institucionale dhe se do të konsultohen me banorët.

Bashkia e Maliqit nisi që këtë të enjte. Takimin e parë e mbajti me banorët e njësisë administrative Libonik, të cilët edhe pse jo të shumtë në numër janë ndarë me qëndrime të ndryshime, disa pro bashkimit me Korçën e të tjerë kundër.

Kryetari i Këshillit Bashkiak Maliq deklaroi se vendimmarrja do të bazohet në opinionin e qytetarëve, ndërsa vetë ai është shprehur kundër shkrirjes së bashkisë.