Votimi i reformës territoriale të enjten në parlament, duket se është lëkundur! Në mbledhjen e grupit parlamentar, dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj dolën me votë kundër draftit të PS që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Por kreu i grupit, Taulant Balla, i paralajmëroi duke u treguar atyre rregulloren në rast se nuk votojnë sipas vendimit politik.

***

Reforma territoriale kërkon të paktën 84 vota që të mund të miratohet. Pas largimit nga grupi, i Marjana Koçekut, socialistët numërojnë 82 vota, të cilave pritet t’u bashkëngjiten dhe 3 të deputetëve të partisë së Tom Doshit.

Por qëndrimet e hapura kritike, sot gjatë mbledhjes së grupit socialist të dy deputetëve Erion Braçe dhe Vullnet Sina, të cilët kanë fituar vendet në parlament nga lista e hapur, duket se e vënë seriozisht në pikëpyetje votimin e së enjtes, nëse deri në fund, ata do t’i qëndrojnë kundërshtive të tyre.

Mësohet se në mbledhje, Braçe, qartazi është shprehur se nuk është i gatshëm ta mbështesë reformën territoriale. Qëndrimin e tij ai e shprehu pasi ngriti një sërë pyetjesh, nëse bëhet fjalë për reformë apo thjesht ndarje territoriale? Ai ka shprehur shqetësim për mos respektimin në mënyrë të njëtrajtshme të kritereve të përdorura në vlerësimin nëse një bashki e vogël mbahet si e tillë, apo bashkohet me një tjetër.

Braçe ka kërkuar të dijë po ashtu nëse kjo ndërhyrje do të shoqërohet me kalim kompetencash nga qeveria te pushteti vendor dhe cilat do të ishin ato, duke vënë në dukje edhe faktin se reforma bie ndesh me ligjet në fuqi që rregullojnë pushtetin vendor.

Nga ana e tij deputeti Sina, është rreshtuar hapur kundër shkrirjes së bashkisë së Selenicës me atë të Vlorës, për kapacitetet e së cilës ka qenë shumë kritik.

Kur u pyet për këtë situatë të krijuar në momentet e fundit, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha: “Vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në komisionin përgjegjës, atë të Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare. Vota pro e grupit parlamentar të Partisë Socialiste hyn në ato vendimmarrje politike për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë. Secili ka, le të themi, shqetësimet e veta. Ju përmendët me të drejtë kolegë, por një gjë është të kesh diskutimet e tua, mendimet e tua, dhe tjetër gjë është të kesh detyrimin për të votuar vendimin e përbashkët të grupit parlamentar”, tha Balla.

Por çfarë ndodh nëse dy deputetët i shkojnë deri në fund kundërshtisë së tyre?

Gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj: Ka penalitet për ata që dalin nga rreshti dhe mund të votojnë kundër vendimit tuaj politik?

Taulant Balla: Lexoni rregulloren e grupit.

Balla megjithatë u kujdes të shpjegonte se nuk bëhej fjalë për një kërcënim

 “Janë dy deputetë ndër më të mirët që ka grupi parlamentar”, tha Balla.

Në diskutimin e një prej çështjeve më të rëndësishme, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, ranë në sy, mungesa të shumta, me gati 30 deputetë e ministra, që nuk ishin të pranishëm. Socialistët kanë vendosur të zhvillojnë dhe një tjetër mbledhje të enjten, përpara votimit të planifikuar për miratimin e reformës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
Territorialja/ Balla-opozitës: Sillni propozimet në Komisionin e Ligjeve! Nëse doni të mungoni në votim, bëjeni, por karvani duhet të ecë përpara

1791193141_taulantballa.JPG

Përballë akuzave të opozitës se drafti i reformës territoriale po kalon në mënyrë të njëanshme, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës që të paraqesë propozimet e saj gjatë shqyrtimit nen për nen në Komisionin e Ligjeve.

Balla kujtoi se demokratët nuk morën pjesë as në votimin e reformës së vitit 2014.

“Nëse duan të mungojnë përsëri, le të mungojnë, por karvani duhet të shkojë përpara”, tha Balla për gazetarët pas mbledhjes së grupit të PS-së. Sa i takon projektligjit të demokratëve për rritjen e numrit të bashkive në 100, Balla tha se ai duhet të kalojë më parë në proces konsultimi me këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive, ndërsa i ftoi demokratët që propozimet e tyre t’i paraqesin gjatë shqyrtimit nen për nen të draftit të PS-së.

Pyetje: Partia Demokratike ka thënë se, në momentin që reforma territoriale miratohet në mënyrë të njëanshme, cenohet edhe reforma zgjedhore. Nëse PD ngre këtë shqetësim, a jeni gati ta miratoni edhe reformën zgjedhore të vetëm?

Taulant Balla: Thirrja ime për grupin parlamentar të Partisë Demokratike është që të marrë pjesë në diskutime. Të marrë pjesë në diskutime në Komisionin e Ligjeve. Nëse kanë propozime, t’i depozitojnë në Komisionin e Ligjeve. Janë ende në kohë. Sot është diskutimi në parim në Komisionin e Ligjeve. Do të vazhdojë diskutimi, do të votohet në parim dhe menjëherë pastaj është shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi. Në shqyrtimin nen për nen, çdo deputet ka përsëri të drejtën të bëjë propozime.

Unë nuk jam këtu për t’i mësuar Partisë Demokratike se si të bëhet pjesë e procesit. Nëse Partia Demokratike do të bëhet pjesë e procesit, mund të vijë me propozime nwse do nw diskutimet nen pwr nen. Në momentin që ti vjen me një projektligj të ri, je i detyruar që, sipas parashikimeve që bën ligji për vetëqeverisjen vendore, çdo propozim ligjor të kalojë përmes procesit të konsultimit në këshillat bashkiakë dhe te kryetarët e bashkive.

Ne nuk bëjmë asnjë gabim të natyrës kushtetuese për mënyrën e trajtimit, sepse unë e di fare mirë që shpresa, ose le të themi mënyra për të penguar ecjen përpara të kësaj reforme, është për ta futur Kuvendin apo komisionin në gabime të natyrës procedurale, me qëllim për t’i përdorur ato si argument në Gjykatën Kushtetuese. Projektligji i tyre të shkojë të bëjë konsultimin. Ndërkohë, nëse duan, nen për nen le t’i sjellin propozimet.

Pyetje: Do t’ua merrni parasysh amendamentet? Nëse ata sjellin amendamente, ju a twrhiqeni nga projekti me 46 bashki?

Taulant Balla: E para, unë po flas proceduralisht. Unë nuk hyj në diskutimin se çfarë propozojnë ata, por dua ta ndërlidh me pyetjen që bëtë. Ju thatë që kjo po kalon në mënyrë të njëanshme. Sot kemi 61 bashki me një votim pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në votimin e 31 korrikut të vitit 2014. Pra, Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë as në votimin e para 12 viteve. Unë nuk parashikoj gjë tjetër. Partia Demokratike përsëri do të mungojë. Partia Demokratike ka munguar edhe në zgjedhjet e 30 qershorit.

Pyetje: Por ju vendosni një numër bashkish dhe nuk dëgjoni se çfarë kërkon pala tjetër.

Taulant Balla: Tani është pak e vështirë të biesh dakord kur një palë vjen me 46, ti me 100, ndërkohë që nuk ke votuar as këtë numrin në mes, që është 61. Kjo është një çështje për të cilën, kur të keni mundësinë, shkoni dhe pyetini ata. Unë përsëri po them që kanë munguar në korrik të 2014-s, kanë munguar edhe më 30 qershor 2019 në zgjedhje. Nëse duan të mungojnë përsëri, le të mungojnë, por karvani duhet të shkojë përpara, sepse kemi sot bashki që aktualisht nuk i ofrojnë siç duhet shërbimet. Ne na kanë votuar qytetarët për të përmirësuar shërbimet. E di fare mirë që për kolegët, me të vërtetë edhe për mua personalisht, për shembull disa bashkime kanë një lloj ngarkese, por e di fare mirë që ky bashkim do të sjellë shërbim më të mirë për të gjithë banorët e dy bashkive.

Ora 12:25
Braçe e Sinaj kundër draftit të PS për territorialen/ Balla: Vendimi politik i PS është vota pro! Reforma është e vështirë, por e domosdoshme (VIDEO)

 

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla pas mbledhjes me deputetët socialistë u pyet nga gazetarët për Vullnet Sinajn dhe Erion Braçen që kanë dalë kundër draftit të PS që parashikon shkrirjen e 15 bashkive në gjithë vendin. I pyetur nëse PS i ka 84 votat për miratimin e hartës së re territoriale, Taulant Balla tha se është vendim politik i grupit që të votohet pro në seancën e së enjtes.

Kreu i grupit socialist e cilësoi reformën territoriale “të vështirë”, por të domosdoshme, duke argumentuar se vendit i duhen bashki më të forta për të garantuar më shumë shërbime dhe për të përballuar sfidat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Taulant Balla: Dua të them që kemi pasur një diskutim të mirë dhe të frytshëm në mbledhjen e grupit parlamentar, në fillim të kësaj jave të punimeve parlamentare, ku nga kolegu Mazniku, i cili ka drejtuar Komisionin e Posaçëm, janë qartësuar apo janë dhënë përgjigje për disa sqarime të ngritura nga kolegët e grupit parlamentar. Vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në komisionin përgjegjës, atë të Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare. Vota pro e grupit parlamentar të Partisë Socialiste hyn në ato vendimmarrje politike për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë. Secili ka, le të themi, shqetësimet e veta. Ju përmendët me të drejtë kolegë, por një gjë është të kesh diskutimet e tua, mendimet e tua, dhe tjetër gjë është të kesh detyrimin për të votuar vendimin e përbashkët të grupit parlamentar. Puna duhet të vazhdojë me intensitet në Komisionin e Ligjeve, sot dhe nesër maksimalisht, për t’iu përmbajtur parashikimit që Kuvendi vetë ka vendosur në kalendarin e tij, votimin në datën 8.

Pyetje: Vullnet Sinaj është shprehur kundër në rrjetet e tij sociale bashkimin e Selenicës me Vlorën. Si arritët ta bindni ju se kjo ndarje është e mirë?

Taulant Balla: E para, unë nuk thashë që e binda apo nuk e binda. Unë thashë që vendimi politik i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është që të gjithë deputetët duhet të votojnë pro.

Balla nuk përjashtoi as mundësinë që të ketë “ndëshkime” ndaj atyre deputetëve që ngrenë kartonin e kuq.

Gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj: Ka penalitet për ata që dalin nga rreshti dhe mund të votojnë kundër vendimit tuaj politik?

Taulant Balla: Lexoni rregulloren e grupit.

Pyetje: A i keni 84 votat kësaj radhe?

Taulant Balla: Partia Socialiste, në Kuvendin e Shqipërisë, për reforma të rëndësishme që i duhen vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian... Dhe e theksoj: kjo nuk është një reformë e lehtë, është një reformë e vështirë. Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon edhe vendimmarrje të vështira, të cilat mund të prekin interesa të natyrës lokale. Por të mos harrojmë se jemi në një fazë të tillë të procesit ku na duhen bashki të forta, së pari për të garantuar shërbime më të mira për komunitetet, por na duhen edhe bashki të forta për të qenë konkurruese me projektet në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe për të qenë gati për të aplikuar si bashki anëtare. Për shembull, një reformë më e thellë po ndërmerret nga një vend që është pak më pas nesh në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Moldavia. Ditën e premte, në mos gaboj, qeveria atje ka publikuar reformën e re administrativo-territoriale që e con vendin nga 12 apo 13 qarqe, në vetëm 3. Kështu që, në këtë këndvështrim, nuk është vetëm Shqipëria vendi që duhet të marrë këto hapa, por është një nevojë e domosdoshme.

Gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj: Zoti Balla, do të keni takime apo negociata me dy prej deputetëve të grupit tuaj parlamentar, Vullnet Sinajn dhe Erion Braçen, të cilët janë shprehur kundër reformës territoriale? Ndoshta vota e tyre do të jetë kundër në seancën plenare të së enjtes dhe kjo cenon kalimin e këtij projektligji të rëndësishëm. Do të keni takime me ta?

Taulant Balla: Jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik. Besoj që të gjithë deputetët e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm, kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Javën e ardhshme kemi një moment tjetër, le të themi kulminant, të suksesit, që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare, ku mbyllim një kapitull tjetër. Besoj që ky është momenti i ndërgjegjësimit të natyrës politike për të kuptuar që duhet të ecim përpara në drejtimin që kemi.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • remi: 05/10/2026 21:40

    Kjo është një reformë e dështuar që shumë bashki nuk e kanë pranuar,nuk duhet të ketë reforma të tilla pa konsensus të gjerë.

    Përgjigju
  • Five company: 05/10/2026 21:27

    Po ta gjykoj drejt, sipas kendveshtrimit tim personal, gabimet en levizjen demografike te viteve 90, dhe me pas vazhdoi me nje konstante ne rritje, te shpernguljes ne kryeqytet dhe qytetet kryesore, cfare mund te themi per bashikite qe qyteteve dytesore, si psh. ne verilindje,veri, veriperendim juglindje? "A kane ardhur te gjithe ne kryeqytet"?. Eshte pyetja qe ju keni frike ta shtroni ne tryeze. do te thosha se 70 % e popullsise eshte ne kryeqytet.. Mund te shohim statistiken e rritjes se popullsise duke marre parasysh lindjet, krahasuar me vdekjet. Per kete statistike, te them te drejten, nuk besoj ne ato qe publikohen.." sepse ketu dicka fshihet, dhe une nuk po arrij ta tackle ..se cfare fshihet? Zevendesohen te vdekurit me te ardhur qe nuk u dihet origjina? Nejse, pyetja qe shtrohet eshte: A mund te kemi bashki per 300 banore? Psh ne Fier?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Tetor, 19:15

    Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?