Komisioni i ngarkuar nga Këshilli Bashkiak i Divjakës për të përgatitur relacionin kundër shkrirjes së Bashkisë Divjakë, pas një muaji punë dhe argumentesh, ka dalë në terren për të marrë edhe mendimet e qytetarëve në dëgjesa publike.
Dëgjesa e parë është organizuar në Divjakë, ku, përveç komisionit, salla ishte mbushur nga qytetarë të interesuar.
Takimi fillimisht ka qenë me tone të ashpra, pasi disa nga pjesëmarrësit kanë kërkuar që të kishte prezencë të deputetes së zonës dhe përfaqësues nga hartuesit e Reformës Territoriale.
Kryetari i Bashkisë Divjakë, zoti Josif Gorrea, ka informuar pjesëmarrësit me relacionin e përgatitur nga komisioni, material i cili do të paraqitet në Kuvend për të kundërshtuar projektin territorial për shkrirjen e Bashkisë Divjakë me Lushnjën.
Ndër të tjera, Gorrea ka renditur faktet, të cilat sipas tij janë një armë e fortë që Kuvendi të mos miratojë shkrirjen e Bashkisë Divjakë.
Edhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak, përfaqësues i opozitës, Eugen Verdho, u shpreh se opinionet e qytetarëve do të gjejnë vend në materialin e komisionit për të mbrojtur pozitat e Divjakës si bashki.
Disa nga pjesëmarrësit që shprehën mendimet dhe argumentet e tyre janë të gjithë kundër shkrirjes së Bashkisë Divjakë, duke bërë edhe thirrje që në protestën që mbahet prej 45 ditësh të jetë e pranishme, për t'i mbështetur, edhe administrata, fermerët dhe bizneset.
Dëgjesat do të vazhdojnë edhe në njësitë administrative ditët e ardhshme.







Komente
Komento