Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në qytetin e Vlorës, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.

Rama shoqërohet në Vlorë nga ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, dhe drejtuesi politik i PS për Qarkun Vlorë, Bledi Çuçi.

Shefi i Qeverisë po zhvillon një takim në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku do të zhvillojë një bashkëbisedim me qytetarë lidhur me reformën territoriale. Takimi pritet të zgjasë deri rreth orës 17:30.

Jashtë ambienteve ku ndodhet kryeministri Edi Rama, janë mbledhur një grup i vogël personash, të cilët po protestojnë. Policia ka shoqëruar një prej organizatorëve të protestës, shtetasin Baki Goxhaj, i cili është bërë i njohur pasi pak kohë më parë u ndalua nga Izraeli në 'Flotiljen Sumud' që po shkonte drejt Gazës për të çuar atje ndihma.

Më pas, kryeministri pritet të ketë një tjetër ndalesë në Lungomare, ndërsa një nga pikat e vizitës do të jetë edhe ish-Parku Aulona, ku Rama është ndalur edhe pak ditë më parë.

Në ish-Parkun Aulona, kryeministri pritet të prezantojë një prej projekteve të parashikuara për këtë hapësirë, e cila synohet të shndërrohet në një zonë çlodhëse dhe kreative për qytetarët dhe vizitorët.

Në vijim të axhendës, Rama pritet të ketë edhe një ndalesë në territorin e Bashkisë Selenicë, ku mësohet se do të zhvillojë takime të tjera.

Kjo vizitë e Ramës në Vlorë vjen edhe pas protestave që po zhvillohen atje kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, të cilat u shoqëruan me përplasje me protestuesve e Policisë.