Me pankarta në duar, dhjetëra qytetarë të Patosit kanë protestuar paraditen e sotme kundër ‘Territoriales' dhe shkrirjes së kësaj bashkie me Fierin. Me thirrjet “ Larg duart nga Patosi” ata kanë pohuar njëzëri se ky vendim cenon identitetin e qytetit të naftëtarëve.
“Bashkia e Patosit është një identitet i pandashëm, por që funksionon si unitet më vete, siç ka funksionuar deri më sot. Këshilli i bashkisë si institucion i zgjedhur dhe kryetari i bashkisë duhet të bëjnë argumentimin përkatës se nuk ngjan me një bashki pa burime ekonomike e njerëzore. Jo Patosi, jo Divjaka, jo Memaliaj!”
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Patosit, mos ta lëshojnë këtë bashki.”
“Kjo protestë do të vazhdojë derisa të kemi një reagim”, janë deklaratat e disa prej banorëve
Për ta, kjo reformë është një hap tjetër drejt shpopullimit ndaj kanë apeluar fuqishëm që zëri i tyre të dëgjohet para se të merret një vendim përfundimtar.
Një ditë më parë, kryebashkiaku Fation Duro tha në një reagim se raporti përfundimtar i Komisionit tregon se Bashkia Patos renditet e dhjeta në rang kombëtar për funksionalitet, me 71.7 pikë në Indeksin e Funksionalitetit të Bashkive (IFB), rezultat që konsiderohet në nivel të lartë.
Këto ditë ka pasur protesta edhe në Korçë, Vlorë, Fushë-Arrëz e Klos.








Komente
Komento