Ai që në fillim dukej si konsensusi i madh mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, po i shtyn dy palët në një konflikt të ri.
Demokratët u shfaqen edhe në këtë seancë me akuzën se Reforma Territoriale po bëhet e vetme nga nga mazhoranca, që sipas PD-së nuk ka pritur përfundimin e punës në komisionin e përbashkët, por ka hartuar e vetme një hartë të re.
“Rama tërhiqet nga reforma territoriale duke vijuar me projektin për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, tha Berisha.
Deputetët e PD akuzuan se vendimi për të shkrirë gati 20 bashki, tashmë është marrë.
“A shkrihet Mirdita? Mos i bëni atentat Shqipërisë”, tha Agron Gjemarkaj.
“U tha këtu Kruma (Hasi) Nuk shkrihet as Mirdita”, iu përgjigj Taulant Balla.
“T’iu vijë turp nëse votoni që të shkrihet Delvina dhe Konispoli”, tha Ina Zhupa.
“Më tingëllon e pavend që pa dalë harta territoriale dëgjojmë trillime”, vijoi Ardit Bido.
Bashkëkryetari demokrat Luçiano Boçi kërkoi që PS të tërhiqet nga drafti dhe të shtyjë afatin e punës së Komisionit të Reformës Territoriale, por PS është e vendosur që më 23 korrik, ditë që përkon me seancën e fundit për këtë sesion të prezantojë një raport të punës së deritanishme.
Në emër të PS, Taulant Balla sqaroi se nuk bëhet fjalë për draftin final.
"Në datë 23 nuk do të ketë votim, por raportim që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet", tha Balla.
Në mbledhjen e fundit të komisionit të Posaçëm PS njoftoi se do të shkojë drejt formulës për më pak bashki dhe ndarje të vendit në rajone për hartën e re territoriale.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi i bëri thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga raporti që kanë prezantuar të vetëm, përmes se cilit propozojnë edhe uljen e numrit të bashkive. Boçi tha se kërkesa e opozitës është që të shtyjnë afatet e punës së Komisionit, pasi ende nuk është zbatuar kalendari i punimeve.
“Pjesa e majtë vazhdoi mbledhjen. I kujt është Kuvendi? Mbledhja ndërpritet, i vutë në dispozicion kanalet për të prezantuar këtë raport. Komisioni ka procedurë dhe përcaktohet me projekt kalendar dhe nuk është hajde ti biem si të duam ne. Ky projekt kalendar është dokumenti zyrtar që është i detyrueshëm për kryetarin e kuvendit, është i detyrueshëm, edhe për komisionin. Ne jemi si komision tek pika 4, raundi i parë i konsultimeve dhe dëgjesave publike në 12 qarqe që nuk kanë mbaruar. Kë pyetet ju për këtë propozim? Pyetët deputetë tuaj? Asnjëri nuk e di se çfarë do bëhet me territorin që përfaqësojnë. Kjo që po bëni është e turpshme. Flisni se mund të bashkohet Librazhdi me Përrenjasin. Ku është diktuar, ku është aprovuar, në cilin komision. Hiqni dorë nga ai raportimi se nuk ka vlerë ligjore”, tha Boçi.
Opozita duhet të prezantojë raportin e saj më datë 23 korrik për reformën territoriale, i tha Taulant Balla bashkëkryetarit të komisionit përkatës, Luçiano Boçit.
“Jam plotësisht dakord me leximin e kalendarit të punës shumëmujor, vetëm se e bëri me hile se nuk lexoi kolonën e afateve, vetëm pjesën e titujve të çështjes, por në fund shkoi te prezantimi i raportit. Edhe sikur të doni ju, unë dhe shumica, ne nuk e ngjallim dot një komision që e ka mbaruar afatin. Në datën 23 ju keni gjithë të drejtën tuaj që në respekt të atij kalendari ta respektoni punën tuaj në radhë të parë në respektim të vendimit të Konferencës së Kryetarëve, të prezantoni raportin. Arsyet përse ikët se ajo e mërkurë kishte edhe lajme të këqija, por nuk hyjmë në çështjet e brendshme të PD, por më datë 23 dy bashkëkryetarët, raportojnë gjetjet”, tha Balla.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj akuzoi PS se me propozimin e saj për më pak bashki në reformën e re territoriale synon që të lërë pa përfaqësim 700 mijë qytetarë që votojnë kundër mazhorancës.
“Do të lërë jashtë përfaqësimit 700 mijë qytetarë që votojnë kundër. Ata janë pa përfaqësues në pushtetin lokal, pushtetin qendror, keni kapur çdo bord duke zhdukur çdo gjurmë pluralizmi. Është e natyrshme që Shqipëria diku do shpërthejë, do shpërthejë në protestë”, tha Gjekmarkaj.
Pasi Ardit Bido përmendi sërish hartën e PD për reformën e mëparshme territoriale që zhdukte identitetin e Delvinës, Ina Zhupa mohoi ekzistencën e një projekti të tillë. Deputetja tha se PD ka dëgjuar vazhdimisht qytetarët që s’kërkojnë shkrirje të bashkive, kurse PS nuk pranon të zbulojë emrat e 10 bashkive që do të shkrihen.
“PD kurrë nuk ka pasur një plan të fshehtë, plan për shkrirjen e një bashkie apo për t’i hequr identitetin e vet Delvinës. I vetmi plan ka qenë kërkesa e qytetarëve për më shumë bashki në Vlorë, për të bërë bashki edhe Ksamilin, kurse Orikumi Novoselën. PD e ka mbështetur. S’kemi dalë në dëgjesa që ata të thonë ç’të duan dhe të bëjmë ç’të duam si ju. S’do gjesh një qytetar që të thotë të shkrihen dy bashki. Kush janë 10 bashkitë që do të shkrihen? Del tjetra thotë s’kanë rëndësi emrat. Jemi duke folur për identitete, qytete, shërbime, banorë, ju thoni s’flasim për emra. Ndoshta s’e dini dhe ju dhe bëni atë që dini të bëni më mirë, gënjeni se nuk e keni problem që herën tjetër të votoni siç kërkon partia”, tha Zhupa.
Për reformën territoriale, puna e Komisionit ka qenë e lavdërueshme në këndvshtrimin e Taulant Ballës. Ai iu drejtua opozitës se “e ka bërë Kuvendin si shkollë nate”, por deri më tani s’ka kërkesë për zgjatje afati. Megjithatë, ‘e qetësoi’ palën kundërshtare se seanca e ardhshme parashikon raportim, jo miratim dhe gjithçka do të diskutohet në shtator.
“Është e nevojshme të sqarohet opinioni publik mbi një dezinformim tjetër në këtë sallë lidhur me një reformë të rëndësishme siç është çdo reformë që ka për synim përmirësimin e shërbimeve të qytetarëve. Komisioni i Territoriales ka bërë punë të lavdërueshme, është punuar për muaj dhe jemi në momentin që në Konferencën e Kryetarëve se ju e keni parlamentin si shkollë nate, ikni e vini kur të doni, kemi pasur një diskutim të qenësishëm javën e kaluar, nuk pati një kërkesë të dakordësuar nga bashkëëkryetarët për zgjatjen e afatit. Personi që sapo gënjeu këtu, në komisionin tjetër Bylykbashi dhe Gjiknuri sollën kërkesën. Komisioni nuk solli kërkesë, e ka mbaruar afatin. Sillni ju raportin tuaj, Mazniku dhe deputetët e PS të sjellin raportin e tyre. Në datë 23 nuk do të ketë votim, por raportim që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet. Procesi përfshin Komisionin e Çështjeve Ligjore, pasi të ketë kaluar 60-ditëshi, në shtator do të diskutojmë prapë, qetësoni shpirtrat, ikni vazhdoni pushimet.
Kreu i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ëhstë tërhequr nga Reforma Territoriale dhe kërkon ta miratojë e vetme, duke vijuar me axhendën për shpopullimin e Shqipërisë.
"BE përcaktoi reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe territoriale. Të bindur se me Ramën ka vetëm antireformë, por në mbështetje të kërkesave të qytetarëve të shumtë nga mbarë territori i vendit, në mbështetje të përpjekjeve tona për një proces zgjedhor të lirshëm, në morëm pjesë në dy grupet e ngritura për këto reforma themelore. Me një kusht, reformën zgjedhore të merret ekspertiza e ODIHR, për territorialen të merret ekspertiza e kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të KiE. Përfaqësuesit e opozitës në këto komisione kanë dhënë kontribut të çmuar. Rama tërhiqet nga reforma territoriale duke vijuar me projektin për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë", tha Berisha.
Në përgjigje të Ardit Bidos për hartën territoriale që sipas Ina Zhupës shkrin Delvinën e Konispolin, deputetja tha se i është referuar raportimeve publike. Ajo këmbëngul se bashkitë s’duhet të fshihen, por t’u rritet eficenca.
“Më vjen keq që nuk e respektove ditëlindjen tënde dhe të na kurseje. Unë i jam referuar asaj që është publike sepse ju e mbani të fshehtë draftin. Delvina dhe Konispoli janë bashki që kryetarët i kanë kthyer në funksion të pasurimit të vetes, punësimit të patronazhistëve, por s’do të thotë që duhet të shkrihen, aq më tepër në atë draftin tuaj që keni shkruar të shkrihet se është afër Sarandës, janë absurditete. Duhet të rrisim eficencën dhe sa i përket Delvinës, Konspolit, Sarandës dhe Finiqit, s’preferoj t’u zë derën njerëzve, por shkoj rregullisht duke transmetuar hallet e tyre”, tha Zhupa.
Deputeti i PS Ardit Bido në fjalën e tij gjatë seancës plenare tha se Delvina dhe Konispoli do të vijojnë të ekzistojnë. Duke iu referuar deklaratës së Zhupës, Bido tha se po dëgjojmë trillime nga PD për Delvinën e Konispolin, pa dalë ende harta territoriale.
"Nuk mund të mos reagoja për një deklaratë që është bërë këtu nga një kolege për Delvinën e Konispolin. Janë të pavenda, dua t’i kujtoj se në reformën e kaluar territoriale PD kishte një hartë të fshehtë dhe Delvina e Konispoli të zgjeroheshin në atë masë sa zhdukej identiteti i tyre. Kështu që mos na bëni moralizma. Më tingullon e pavend që pa dalë harta territoriale dëgjojmë trillime. Nuk mundet që klima juaj të prodhojë të kundërtën. Saranda e Delvina do të ekziztojnë", tha Bido.
Interpelancat po trajtohen me dy standarde, tha Ina Zhupa nga podiumi i parlamentit. Sipas saj, ministrat njoftohen për interpelancat dhe ato përshtaten sipas axhendës së tyre, ndërsa kur deputetët mungojnë, përfshihen që më pas të quhen të realizuara.
“Sa herë që ne vendosim interpelanca, stafi i Kuvendit kujdeset që të lajmërojë ministrat, të shikojë axhendën dhe nëse s’janë s’i vendos fare në rendin e ditës. Ka njëfare logjike, por kur deputetëve të opozitës iu vjen radha për interpelancën nuk pyesni janë apo nuk janë, por e vendosni në rendin e ditës për ta quajtur të ezauruar. Nuk ka kuptim që interpelanca që i mbani nga 2 muaj e fusni në të vetmen seancë që ne s’jemi këtu. I keni bërë deputetët me dy standarde, disa pyeten, disa dëgjohen, disave u futen ligjet sa i dorëzojnë, me procedurë të përshoejtuar. Nuk ka korsi të ndryshme se nuk është as në rregullore, as në Kushtetuë. Ne s’po kërkojmë asgjë dhe asnjë privilegj që do na e jepni ju, vetmë zbatimin e Kushtetutës”, tha Zhupa.
Më pas, deputetja ngriti çështjen e Komisionit të Reformës Territoriale për të cilin pati kundërshtim për dorëzimin e draftit kur s’është mbyllur puna. Më pas, u bëri thirrje deputetëve të Vlorës që të mos votojnë shkrirjen e bashkive Delvinë dhe Konispol.
“Është e padëgjuar që një komision të mos arrijë dot të mos mbyllë as pikën e parë të planit të punës dhe të dorëzojë draftin. Po pse i bëtë ato dëgjesa? Nuk kemi thënë të shkrihen bashkitë. T’ju vijë turp nëse votoni që të shkrihet Delvina dhe Konispoli! T’ju vijë turp nëse ju jepni vota që të shkrihen dy nga bashkitë identitare të jugut!”, tha Zhupa.
Komente









