Socialistët kanë braktisur mbledhjen e këshillit bashkiak në Maliq për reformën territoriale, e cila ishte thirrur nga opozita.

Mbledhja zgjati rreth 20 minuta ndërkohë që në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të këshillit bashkiak për t’ia përcjellë Kuvendit.

Grupi i këshilltarëve të majtë tha në një deklaratë për të mos u shprehur me vendimmarrje në lidhje me propozimin që duhet t’i dërgohet parlamentit dhe si rrjedhojë, kryetari Gëzim Topçiu njoftoi mbylljen e mbledhjes duke nxitur reagime nga opozita e qytetarët. Njëri prej qytetarëve, i cili mban bastun në dorë, reagoi i nxehur duke urdhëruar që askush mos të lëvizte nga vendi, ndërsa bën edhe gjeste kërcënuese me shkopin.

“Ulu atje! Kush e mbyll mbledhjen? Ulu shpejt!”, tha qytetari duke ‘valëvitur’ bastunin e tij.

“Luani me popullin ju? Ç’bëhet kështu?”

“Si s’ju vjen turp more?”, kundërshtuan të tjerët.

Salla u boshatis nga këshilltarët e majtë brenda disa sekondash, ndërkohë që pjesa tjetër e opozitës vijoi me deklaratat. Pas mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se qytetarët e Maliqit duhet të marrin në dorë fatin e tyre dhe të kundërshtojnë planin e Ramës për shpopullimin.

"Është e pafalshme dhe tani është fjala e qytetarëve të Maliqit, të cilët i ftoj dhe i nxis të marrin në dorë fatet e tyre, të marrin në dorë fatet e familjeve të tyre, të marrin në dorë tokat e tyre, sepse paketa e maleve do të godasë edhe Maliqin. Do t'u marrin pronat, do t'u marrin pyjet, do t'u marrin shtëpitë, sepse ky në fakt është dhe projekti i Edi Ramës, shpopullimi, shpopullimi dhe vetëm shpopullimi i Maliqit", tha ai.

Në mënyrë të ngjashme u shpreh edhe deputetja Ledina Allolli e cila tha se Partia Demokratike është në mbështetje të qytetarëve.

"Një gjë do t'ju them këshilltarëve sot: kur je anëtar i Këshillit Bashkiak, je aty për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të tu, janë ata që të kanë zgjedhur, nuk je për të përfaqësuar interesa partiake. Dhe më duket sot se interesat partiake prevaluan mbi interesat e qytetarëve. Kështu që në këto momente, unë i bëj thirrje banorëve të Maliqit: tani fuqia është e juaja, e keni ju në dorë dhe ne do të jemi mbështetja juaj në mënyrë që Maliqi, Bashkia Maliq, të mos shkrihet dhe të mos bashkohet me Bashkinë e Korçës", tha ajo.

P.J/E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
1.0 / 5 (1 vlerësim)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45

    Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?