ITALI - Me dekret te Ministrisë së Brendshme është dëbuar nga territori italian për “motive parandalimi terrorist”, maqedonasi Rexhep Ljimani, 39 vjec.

Është ky personi i 67-të që dëbohet nga shteti italian me akuzën e përkrahjes e lidhjes me doktrinën e shtetit islamik ISIS.
 
Rexhep Ljimani i lindur në Oltja të Kumanovës, jetonte prej vitit 1998 në Itali në komunën San Zenone degli Ezzellini në provicën e Trevizos.

I martuar dhe me dy fëmijë punonte rregullisht në një fabrikë ambalazhesh e prej marsit të vitit 2012 drejtonte në këtë qytezë, shoqatën kulturore islamike “Vëllazëria”, shkruan Tetovasot.
 
Hetimet e policisë italiane kanë konfirmuar se prej 2014 maqedonasi kishte vendosur kontakte me persona me origjinë ballkanike të lidhura me grupet e islamizmit radikal.

Pas ngjarjeve të 13 nëntorit në Paris, Rexhep Ljimani refuzoi t’i bashkohej iniciativës së promovuar nga disa shoqatave myslimane për një komunikatë solidariteti ndaj Francës e viktimave të antentateve terroriste.
 
Po në nëntor të 2015, pas sulmeve në Paris, djali i tij 8-vjeçar kishte komentuar në shkollën ku ai studion se “terroristët kanë bërë mirë që kanë vrarë e se shpejt do mbërrijnë në Romë e do vrasin Papën. Rroftë ISIS”.
 
Në konferencën për shtyp ministri i Brendshëm italian, Anxhelino Alfano deklaroi se “se ne jemi një vend që i njeh principet e mikpritjes për këdo që largohet nga lufta e persekutimi, por jemi dhe një shtet që respekton ligjet e rregullat, e kush nuk i respekton ato, apo shfaq armiqësi ndaj traditave tona, do të dëbohet. Kjo është linja jonë.”
 
Rexhep Ljimani është shoqëruar të mërkurën në komisariatin e zonës ku dhe i është notifikuar dekreti i dëbimit nga Italia. Më pas është shoqëruar në aeroportin e Venecias për të udhëtuar drejt Maqedonisë. Bashkëshortja e tij së bashku me dy fëmijët do të qëndrojnë në Itali.

/Tetova Sot/

Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )