VJENE - Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhe Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, morën pjesë në Konferencën mbi Masat për Përballimin e Rrezikut Terrorist dhe Fenomenit të Luftëtarëve të Huaj Terroristë, që u mbajt në Vjenë të Austrisë.
Në fokus të takimit ishin diskutimet mbi terrorizmin, në të gjitha format e manifestimit, që aktualisht përbën kërcënimin më serioz për paqen dhe sigurinë në botë. Të pranishmit nënvizuan rëndësinë jetike që ka bashkëpunimi dhe rritja e efikasitetit të veprimit, në nivel kombëtar dhe global, në luftën kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj terroristë dhe akteve kriminale e të pajustifikuara të terrorizmit.
Në fjalën e tij Ministri Tahiri u shpreh se vendin ynë ka një tolerancë fetrare shembullore por pavarësisht kësaj mbetet e rrezikuar nga sulmet terroriste me përkatësi fetare.
Sipas Ministrit për t’i bërë ballë terrorizmit ditën e sotme është e rëndësishme që të gjitha vendet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Sipas Tahirit, forcmi i demokracisë dhe shtetit ligjor, është kyç në luftën kundër terrorizmit. Në këtë drejtim Tahiri bëri të ditur se vendi ynë bashkëpunon me të gjithë partnerët ndërkombëtarë.
“Lufta kundër terrorizmit është një sfidë për të gjitha vendet e Ballkanit, të Evropës e me gjere. Ndaj duhet të sigurohemi që bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së të jetë cilësor, sepse lufta kundër terrorizmit nuk mund të varet nga të qenit ose jo anëtar i Bashkimit Evropian, duke qenë se kërcënimi nga terrorizmi është i njëjtë për të gjithë. Shqipëria është një vend me harmoni fetare për t'u marrë shembull, por si çdo vend tjetër nuk i shmanget dot rrezikut të terrorizmit. Gatishmëria e Shqipërisë për të bashkëpunuar me partnerët është e plotë. Ne besojmë se bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme. Forcimi i shtetit ligjor, reformat demokratike, reforma në drejtësi dhe rritja e nivelit ekonomik mbeten detyra të rëndësishme, ashtu sikundër procedimet dhe ndryshimet ligjore kundër fenomenit të luftëtareve te huaj”. tha Tahiri
Bushati: Masat e qeverisë ulën numrin e shqiptarëve xhihadistë
Ndërkohë Ministri Bushati, u shpreh se mbledhja e ditës së sotme dëshmon edhe një herë për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Evropës me qëllim për parandalimin e akteve terroriste. Duke u ndalur në masat e marra nga qeveria shqiptare, Bushati tha se ato kanë sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të shqiptarëve që marrin pjesë në luftërat e huaja.
“Mbledhja e sotme në këtë format dëshmon rëndësinë që ka bashkëpunimi në përballimin e fenomenit të terrorizmit, sepse asnjë shtet nuk mund t’ia dalë i vetëm. Ballkani ka rëndësi të veçantë nga pikëpamja gjeografike, si rajon i afërt me zonat e prekura nga krizat, që shërben si një digë në përballimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë Mesdheun jugor dhe lindor. Masat parandaluese dhe sanksionuese që ka ndërmarrë qeveria shqiptare gjatë vitit 2014 kanë pasur efekt në rënien e ndjeshme të numrit të shtetasve shqiptarë të angazhuar në konfliktet e huaja. Gjithashtu, roli i krerëve të besimeve fetare ka qene i pazëvendësueshëm, duke treguar se angazhimi dhe bashkëpunimi me ta është një element kyç në përballimin e fenomenit. Në mënyrë që masat të kenë efekt dhe të jenë të qëndrueshme, duhet që Ballkani Perëndimor të kthehet në një rajon të vërtetë nga pikëpamja e sigurisë, duke ndarë një agjendë gjithëpërfshirëse dhe metodologji të përbashkët me BE-në. Mungesa e angazhimit dhe bashkërendimit rrezikon ta kthejë dobësinë në destabilitet”. tha Bushati
Në këtë takim morën pjesë Ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Italisë dhe Sllovenisë, përfaqësues të Komisionit Evropian, si dhe Komisioneri për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos.
(f.i/Shqiptarja.com)