Operacioni i përbashkët “Martesa” mes policisë italiane dhe asaj shqiptare bënë të mundur vënien në pranga të një grupi terroristësh, të cilët rekrutonin luftëtarë të huaj për të mbështetur ISIS. Policia arrestoi 10 persona, ku 5 prej të cilëve janë shtetas shqiptarë, 4 italianë dhe 1 kanadez.

Sipas policisë italiane, personat e arrestuar janë pjesë e një krushqie. Hetimet kanë nisur me italianen Maria Giulia Sergio, e cila pas një divorci ka lidhur me martesë me një shqiptar, ndërsa ka nisur të hedh në facebook shprehje pro ISIS. Maria për herë të parë ishte e martuar në 2007 me një maroken, ndërsa në shtator të 2014, u martua me 27 vjeçarin shqiptar, Aldo Kobuzi. Në 2014-ën italiania është konvertuar në islam duke ndryshuar dhe emrin në Fatima Zahra, ndërsa Aldo e ktheu në Said.

E reja u njoh si xhihadistja e parë italiane në luftën e Sirisë dhe më 21 shtator 2014, çifti italo-shqiptar iu bashkua militantëve të Shtetit Islamik, ndërsa Prokuroria e Milanos nisi një hetim të gjerë për të renë e njohur me nofkën “Lady Jihad”. Ndërkaq, në lidhje me këtë operacion, në prangat e policisë shqiptare u vu edhe një 40 vjeçar nga Lushnja, Baki Çoku i cili është daja i 27 vjeçarit Kobuzi. Për këtë shtetas, Gjykata e Lushnjës dha masën e sigurisë “Arrest me burg”, ku pritet të bëhet edhe ekstradimi i tij drejt shtetit Italian.

Ndërsa në Itali u arrestuan babai i italianes, Sergio me emrin e konvertuar Ibrahim, nëna e saj Assunta, motra Marianna dhe tezja e bashkëshortit Aldo, Arta Kacabuni rezidente në Scansano. Sipas hetimeve, Maria ndodhet në Siri në mbështetje të ISIS-it me Aldon, nënën e burrit Donikën dhe mbesën Serjola Kobuzi.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)