Testimi i mjekëve e infermierëve 
në Shkurt, Beqaj: Ngelësit largohen

Testimi i mjekëve e infermierëve <br />në Shkurt, Beqaj: Ngelësit largohen
TIRANE - Mjekë, infermierë laborantë por edhe punonjës të tjerë të shëndetësisë do ti nënshtrohen përgjatë muajit shkurt testimit për shkallën e profesionalizimit. Ky testim që do të kryhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë do të nisë fillimisht nga infermierët e QSUT dhe me pas do të vazhdojë në poliklinika e spitale të rretheve.

Kurse sa i përket mjekëve fillimisht do të nisë testimi në poliklinika, më pas në spitale rrethesh dhe në fund në QSUT. Sipas dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakaçolli ky testim do të jetë për të parë gjendjen në formë fotografimi dhe jo selektiv. “Ne duhet të dimë se ku do të shkojmë dhe përpara se ta dimë këtë, duhet të dimë se ku jemi. Për të bërë këtë, duhet bërë një lloj testimi, i cili natyrisht nuk do të ketë qëllimin për të diferencuar shumë njerëz, por do të ketë qëllimin e fotografimit. Duke ditur se ku e kemi nivelin e mjekëve, që përballen me problemet e jetës së përditshme, do të dimë edhe se ku do të shkojmë.

Kjo, sepse që të ndërtosh një program edukimi në vazhdim, duhet të nisesh nga një bazë dhe pastaj të kuptosh problemin se deri ku ai shkon. Do të ishte mirë që të fillonte një program testimi për mjekët në të gjitha nivelet”, tha Mira Rakacolli, dekane e Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë tha se nga një trajnim që po i bëhet mjekëve dhe infermierëve janë vënë re mangësira të theksuara. “Po përfundojmë procesin e trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për programin e kontrollit bazë. Aty kemi zbuluar që ka boshllëqe edhe më bazike në njohuri, ndaj na duhet një fotografim i situatës që është sot, si për mjekët edhe për infermierët.

Me këta të fundit do ta fillojmë nga QSUT dhe pastaj do zbresim nëpër spitale dhe parësore. Ndërsa me mjekët do ta fillojmë nga Qendrat Shëndetësore, pra mjekët bazë, deri sa të vijmë drejt majës së piramidës. Tek infermierët do të testojmë fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesën profesionale, pasi është shumë e rëndësishme edhe pjesa e komunikimit dhe etikës”, u shpreh ministri Ilir Beqaj. Sipas të dhënave janë 3720 mjekë dhe rreth 13 mijë infermierë e laborantë, që do t’i nënshtrohen testimit në të gjithë vendin. Sipas të dhënave paraprake, testimi do të jetë në dy faza, ku faza e parë ka të bëjë me dijet bazë dhe faza e dytë do të jetë me raste konkrete me pacientë.
 
Shëndetësi, Paralelisht nis edhe programi antikorupsion 
 
Ministri i Shëndetësisë u shpreh se aktualisht ka mjekë që nuk kanë asnjë kredit. Kjo është e patolerueshme dhe një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë më, tha ai. Ndërkaq lufta ndaj korrupsionit tha Beqaj mbetet një tjetër sfidë. "Profesionistët e shëndetësisë e pranojnë se korrupsioni është problem serioz i sistemit, por në pikëpamjen e tyre insistojnë që është më shumë një realitet i hiperbolizuar, lidhet me pagat e pamjaftueshme dhe mosfunksionimi i sistemit të referimit është ndër shkaqet kryesore të korruptimit në shërbimin spitalor", tha Beqaj.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore