Testimi, infermierët: Provimi i lehtë
Ekonomi: Nuk ka largim nga puna

Testimi, infermierët: Provimi i lehtë<br />Ekonomi: Nuk ka largim nga puna
Ka nisur dje testimi i infermierëve. Të parët që kanë dhënë provimin kanë qenë infermierët e materniteteve “Mbretëresha Geraldinë”, “Kiço Glozheni” si dhe ata të spitalit të Traumës dhe Sanatoriumit. Ditën e djeshme testimi është zhvilluar në 4 grupe të ndryshme filluar nga ora 16:30 deri në orën 20:30. Menjëherë pas testimit infermierët janë shprehur se teza ishte e lehtë. 

“Testimi ishte i lehtë, me pyetje të nivelit mesatar. Nuk besoj se do kemi ndonjë problem me vlerësimin pasi realisht kanë qenë pyetje të thjeshta”, - u shpreh një infermier menjëherë pas zhvillimit të testit. Kishte dhe nga ata infermierë të cilët e quanin të lehtë testin, por akuzonin Ministrinë e Shëndetësisë se nuk u la afat të mjaftueshëm për t’u përgatitur. 

“Vetëm 3 ditë më parë na thanë eja se do testoheni. Fondi i pyetjeve është publikuar në muajin shkurt, por duhet të lajmëroheshim më herët nga ministria. Për sa i përket provimit mund të them se ishte shumë i lehtë”, - u shpreh një tjetër infermiere. 

Për zëvendësministren e Shëndetësisë Milva Ekonomi, ky është një testim për njohuritë dhe jo për të larguar infermierët nga puna. “Është një vlerësim për njohuritë dhe nuk ka lidhje me vendin e punës. Qëllimi ynë është që të njohim se në ç’nivel janë infermierët, sidomos ata të cilët shërbejnë çdo ditë në qendrat spitalore”, - u shpreh Ekonomi. 
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në testim pritet të marrin pjesë rreth 75% e infermierëve. “Marrin pjesë gati 75% e atyre që janë regjistruar në fillim për arsye lejesh, për arsye pune.

Do të organizohet edhe një testim i dytë. Mendohet që ajo që do ndodhë pas testit, do të kontrollohet njëherë, do shikohet si ka dalë rezultati, do jepet një shpjegim i parë. Dhe pastaj ne shpresojmë që do jetë një test i kalueshëm nga pjesa dërmuese e infermierëve tanë. Teza ka 35 pyetje, koha e zhvillimit është një orë”, - theksoi zëvendësministrja e shëndetësisë. 

Ditën e sotme do të jetë radha e infermierëve të QSUT-së për tu testuar dhe po ashtu e infermierëve të tjerë që nuk arritën të merrnin pjesë ditën e djeshme. Kjo është faza e parë e testimit, ndërsa në fazën e dytë do të zhvillohet një provim me pyetje për punën që bën çdo infermier. Testimi i infermierëve vjen pas debatit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Urdhrit të Infermierëve të cilët e çuan vendimin deri në Gjykatën Administrative. 

Fillimisht Gjykata i dha të drejtë UISH-it, duke anuluar testimin që kishte vendosur Ministria e Shëndetësisë. Më pas ishte apeli i Gjykatës Administrative i cili e quajti të ligjshëm nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për të testuar “bluzat e bardha”.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane