TIRANE - Bluzat e bardha zhvilluan sot protestën e radhës, kësaj here të ndarë në 2 grupe: në ambientet e QSUT-së dhe përpara kryeministrisë, ndonëse kjo e fundit nuk mori përmasat që priteshin. Shkak për këtë, sipas mjekëve, janë bërë presione nga më të ndryshme, në mënyrë që bluzat e bardha të mos kërkojnë dot të drejtën e tyre.

Më herët, në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë u rinovua kontrata kolektive me sindikalistët e shëndetësisë. Ministri Beqaj shfrytëzoi këtë takim për të bërë edhe një herë të ditur se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga nisma për testimin, duke arsyetuar së ai nuk do të ndryshojë asgjë në të drejtën e ushtrimit të profesionit të bluzave të bardha.

Kjo është java e katërt që protestohet. Kur kanë mbetur vetëm 3 ditë nga testimi i infermierëve, gjykata administrative e apelit pritet që deri nesër të nxjerrë një vendim për pezullimin ose jo të testimit, pas padisë nga Urdhri i Infermierëve.