TIRANË – Është bërë paraditen e sotme, me praninë edhe të komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi testimi i procesit të votimit elektronik në Njësinë numër 10 në Tiranë.
Ndër të tjera ai ka theksuar se nga ana teknike numërimi mund të dalë brenda 30 minutave por akoma nuk është vendosur se rezultati i njësisë 10 do të bëhet publik direkt apo do të pritet dhe numërimi i shumicës së votave.
Celibashi apeloi që të ketë sa më shpejt një vendim nga KAS për fletën e votimit, dhe në rast se palët sërish nuk janë dakord, Kolegji Zgjedhor ta shqyrtojë këtë çështje në kohën më të mirë të mundshme.
“Nuk prisja që të kishte kundërshti kaq të mëdha për fletën e votimit, palët duhet ta kuptojnë se e rëndësishme është që të mos humbasim në shumë kohë. Shpresoj që KAS të vendosë sot ndryshe do të humbasim dhe disa ditë të tjera, dhe nëse vendimi do të ankimohet në kolegj bëj thirrje publike që pa cenuar askënd në këtë çështje të vendosin sa më parë për ankimin”, tha Celibashi.