Atë që nuk mundi t’i japë një zgjidhje Gjykata Kushtetuese në qershor të vitit të kaluar, po mundohet ta “ndreqë” mazhoranca përmes një ndryshimi ligjor. Bëhet fjalë për një vendim të qeverisë që lidhet me mënyrën e llogaritjes së pagave për mësuesit.  

Deputetja socialiste Evis Kushi ka propozuar një shtesë në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, e cila sipas saj synon t’i japë fund shqetësimit për trajtimin financiar të mbi 11 mijë mësuesve, të punësuar në sistemin arsimor, që janë diplomuar përpara hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës. Një vendim qeverie i 26 qershorit 2024, që i bëri një rishikim kategorive të pagave edhe për edukatorët dhe mësuesit në arsimin parauniversitar, ulte ndjeshëm pagën për këtë kategori arsimtarësh. Deputetja Kushi në ndryshimin ligjor propozon që njohja e diplomave para ‘Bolonjas’ të jetë e vlefshme me ato të marra 3+2 vetëm për efekt page.

“Në nenin 72, pas pikës 6, shtohet pika 7 me këtë përmbajtje:

Personeli mësimdhënës/edukator, që zotëron diplomë të ciklit të parë dhe ose të dytë të studimeve të arsimit të lartë ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, që është punësuar në sistemin arsimor më kohë të plotë dhe pa afat përpara datës 01.03.2017, pavarësisht nivelit të diplomës dhe kualifikimit, diploma e përfituar i njihet si arsim i lartë, tetë semestra, për efekt page.”

Konkretisht, ndryshimi prek mësuesit dhe edukatorët e punësuar para datës 1 mars të 2017, të cilët për shkak të ndryshimeve ligjore dhe përshtatjes me sistemin e Bolonjës, të cilëve deri tani u është konsideruar diploma 4-vjeçare si “Bachelor”. Në këtë kategori përfshihen edhe mësuesit që kanë ndjekur programe “Master Profesional” me 60 apo 90 kredite.

E kontaktuar nga Report TV, deputetja socialiste Evis Kushi sqaroi se ky propozim lidhet vetëm me trajtimin financiar të mësuesve dhe nuk prek aspekte të tjera të statusit të tyre profesional.

Kjo përbën ndryshimin thelbësor nga propozimi i deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila e ka ngritur të njëjtën problematikë, por ka propozuar ndërhyrje në Ligjin e Arsimit të Lartë, dhe që kërkon që diploma 4-vjeçare të njihet si ekuivalente master në çdo efekt, jo vetëm për pagën.

“Ky i riu është problematik për faktin sepse duan të vendosin një datë të punësuarit para 2017-s, ndërkohë që duhet të jetë për këdo punonjës, pavarësisht se kur është punësuar dhe nuk ka problem ligji i arsimit parauniversitar, se po të kishte problem nuk do shkonim gjykatë kushtetuese. Ne gjykatë kushtetuese kemi shkuar pikërisht te VKM-ja binte në kundërshtim me ligjin. Pra ligji e ka të parashikuar që për efekt page këta do të njiheshin. I vetmi ligj që nuk e kishte të parashikuar ishte ligji që unë dua të ndryshoj për arsimin e lartë që kategorizon dhe këta njësoj sikur kanë mbaruar arsimin e lartë dhe master",- thotë Zhupa.

Këtë propozim të deputetes Zhupa, mbështet edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Ahqiptar.  E kontaktuar nga Report Tv kryetarja e sindikatës, Alma Lama thotë se propozimi i Zhupës zgjidh tërësisht problemin për çdo kategori.