Barazimi i Barcelonës ndaj Sevilla-s në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan” dhe fitorja e Real Madrid në “Reale Arena” ndaj Sociedad ka bërë lider të La Ligas ekipin e Zinedine Zidane edhe pse skuadrat janë me pikë të barabarta.Një barazi totale kur duhen edhe 8 ndeshje deri në përfundim të sezonit dhe mundësi për të dyja ekipe për të triumfuar. Barcelona pret të martën në “Camp Nou” Athletic Bilbaon që mbetet gjithmonë një skuadër shumë e rrezikshme ndërsa në letër Real Madrid ndeshjen e radhës e ka më ë lehtë në shtëpi ndaj Mallorca pavarësisht faktit që luan mbrapa katalanasve dhe kjo krijon më shumë presion.
Të dyja ekipet si Barcelona ashtu edhe Real Madrid kanë të njëjtin numër ndeshjesh në shtëpi dhe jashtë por Los Blancos kanë një kalendar më të lehtë pra e kanë në favor. Real Madrid ka vetëm një ndeshje me rrisk atë kundër Bilbaos jashtë fushe ndërsa Barcelona ka dy duele me rrezik më të madh ndaj Atletico Madrid dhe Villarreal. Reali do të presë në stadiumin e tij “Alfredo Di Stefano” ekipe si Mallorca, Getafe,Alaves dhe Villarreal ndërsa do të vizitojë Espanyol, Bilbaon, Granadan dhe Leganes.
Barcelona pret në “Camp Nou” Bilbaon,Atletico Madrid, Espanyol dhe Osasuna ndërsa luan jashtë me Celta, Villarreal, Valladolid dhe Alaves.Real dhe Barcelona janë me nga 65 pikë dhe gara e titullit mbetet totalisht e hapur por kalendari është në favor të Real Madrid/ Përgatiti Andi Kapxhiu.