Teuta Hoxha: Pse ngrenë hotel
në vend të statujës së Enverit

Teuta Hoxha: Pse ngrenë hotel<br />në vend të statujës së Enverit
TIRANE - Vendi për statujën e Enverit në Gjirokastër ka qenë një kodër bosh. Nuk ka pasur aty asnjë ndërtesë që të jetë shembur. Teuta Hoxha, nusja e djalit të Enver Hoxhës, ish-specialiste në Institutin Monumenteve, thotë se aty s’ka pasur asnjë objekt, asnjë monument kulture, ndaj s’ka se si të rindërtohet kur aty s’ka pasur kurrë asnjë banesë. ”Sheshi i statujës u rregullua mbi një shkëmb të madh. Kam punuar në IMK deri në ‘90-n dhe nuk arrij ta kuptoj pse hoteli ngrihet në një zonë muzeale. 

Zonja Teuta, a dini gjë a ka qenë Monument Kulture banesa që ka qenë dikur aty para se të vendosej statuja e Enver Hoxhës?
-Unë kam qenë në Institutin e Monumenteve të Kulturës deri në vitet ’90 dhe kisha një ide të qartë se cilat ishin monumentet e kulturës dhe cilat ishin qytetet e shpallura muze, për të cilat kishte shumë kujdes dhe shumë specialistë që merreshin me to. Di që edhe për çdo ndërtim dhe restaurim vendoste Instituti i Monumenteve të Kulturës me specialistë shumë të përgatitur dhe nuk ishte e lehtë të ndërtohej asgjë pa aprovimin e këtij instituti dhe pa marrë miratimin e specialistëve të lartë. Nëse do të ishte një monument, qoftë edhe i kategorisë së dytë, nuk do të kishte asnjë arsye të vendosej atje statuja. Statuja u vendos atje për shkak të lartësisë dhe bazamentit shkëmbor. Deri në atë kohë unë e di mirë që ishte një shesh bosh në një sipërfaqe kodrinore dhe kaq. Ndaj u vendos atje.

Spartak Drrasa tha se aty ka qene godina në pronësi të z. Sabahudin Kodra. Pastaj u bë teatër e bibliotekë dhe u shemb për të krijuar sheshin ku u ngrit statuja e Hoxhës....
-Unë mbaj mend që ai shesh nuk ka qenë i zënë, ka qenë një tip kodre e ngritur dhe statuja dhe bazamenti u bë në ‘88-n me rastin e 80- vjetorit të ditëlindjes së Enver Hoxhës. Biblioteka ka qenë përbri, në krah të statujës dhe atë askush nuk e ka shembur. Është një bibliotekë që ka funksionuar si e tillë edhe pas ‘88-s. Vendi rrotull statujës ka qenë një kodër, me bazament një shkëmb të madh dhe nuk ka pasur asnjë banesë.

Pas shembjes së statujës, çfarë u bë me atë vend? A keni qenë atje për ta parë?
-Mbeti një vend i braktisur dhe për shumë vite mbeti bosh. Statuja u prish dhe ashtu mbeti ai vend. Për një kohë të gjatë askush nuk u kujtua më për të. Unë e pashë artikullin në gazetën tuaj dhe u çudita me ndërtesën që do bëhet aty. Nëse do të ishte një monument i kategorisë së parë, apo të dytë, për të cilën unë të them të drejtën nuk di gjë, merret leje për restaurim, duhet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës për restaurimin ose rindërtimin, por me synim që të ngrihet objekti siç ka qenë, të mos ndryshohet. 

Në të vërtetë IMK e ka dhënë lejen....
-Vërtetë e ka dhënë. Se kuptoj këtë si e ka bërë. Unë kam punuar vetë në Institut dhe di që për çdo ndërtim a restaurim duhet leje e posaçme, duke u bërë i qartë rëndësia historike ose arsyet pse e quajnë vepër muzeale. 

Pra ju këmbëngulni se aty nuk ka pasur asnjë ndërtesë, dhe rrjedhimisht asnjë pronar...?
-Ishte kodër dhe kishte në bazament një shkëmb të madh. Pra unë mund të them me siguri që atje ka qenë vend bosh, në kohën që u zgjodh vendi të bëhej monumenti, nuk është shembur ndonjë ndërtesë. U përshtat kodra, sheshi për të vendosur statujën, por që të jem e saktë nuk mund të sigurojë nëse kjo tokë mund të ketë qenë pronë e vjetër e ndonjë pronari, siç kanë dalë shumë prona të vjetra sot të pronarëve të dikurshëm. Vetëm nëse ka qenë pronë, unë nuk mund ta kuptoj se ç’lidhje ka kjo me deklarimin si objekt i veçantë, si objekt muze. Aty në atë kohë nuk ka pasur asnjë shtëpi të vjetër dhe asnjë godinë të vjetër. Kodra ka qenë bosh. Pra nëse ka qenë kjo shtëpi e ndonjë pronari është çështje tjetër, se di pse kthehet në çështjen e ringritjes si objekt muze. Çdo pronar ka të drejtë të nxjerri pronat, ndërsa shpalljen e objekteve muze e ka në përgjegjësi IMK-ja dhe qeveria.
 
Sipas jush sa e dëmton imazhin e Gjirokastrës një ndërtim i tillë, siç është hoteli me 15 dhoma në këtë rast, ajo është qendër muzeale apo jo?
-E gjithë Gjirokastra është një vepër e madhe muzeale dhe gjithçka që ngrihet jashtë funksionit dhe qëllimit të objektit muzeal e dëmton imazhin e saj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin