Thaçi-Daçiç, zbulohet çfarë
u diskutua në takimin në Bruksel

Thaçi-Daçiç,  zbulohet çfarë <br />u diskutua në takimin në Bruksel
KOSOVE- Pas më shumë se një javë nga takimi i parë i Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel, gazeta kosovare “Koha Ditore“ ka arritur të mësojë nga burimet ndërkombëtare se cilat kanë qenë saktësisht temat e diskutuara në atë takim dhe si do të shkojnë përgatitjet për vazhdimin e dialogut.

Vetë Thaçi dhe Daçiç kanë dhënë versionin e tyre për takimin, ndërsa pala europiane ka folur vetëm në mënyrë të përgjithshme, duke konfirmuar se takimi është zhvilluar dhe duke nënvizuar rëndësinë që ka dialogu për të ardhmen europiane si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës.

Javën e shkuar një zyrtar i afërt me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka njoftuar shtetet anëtare të BE-së në Komitetin për Politikë dhe të Sigurisë (PSC) lidhur me takimin e zhvilluar më 19 tetor.

Nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se që në takimin e parë Thaçi-Daçiç është folur konkretisht për disa pika, ndonëse kjo ka qenë në mënyrë joformale.

Sipas burimeve diplomatike, veriu gjithsesi është dhe do të jetë temë e dialogut dhe madje njëra ndër temat kryesore. Ndër pikat e para që pritet të diskutohet në dialog është veriu. BE-ja në platformën e saj do të kërkojë nga Serbia që të ndërpresë ushtrimin e funksioneve shtetërore në territorin e Kosovës. Por nga Kosova kërkohet që të pranojë se veriu është ndryshe, shkruan “Koha Ditore”.

Tema tjetër e takimit të parë do të jetë hapja e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe të asaj të Serbisë në Prishtinë. Pikërisht këtë diplomatët e shohin si rrugën më të mirë për të dëshmuar përparim të dukshëm drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, që për Beogradin është njëri ndër kushtet kryesore për të marrë datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Në takim është biseduar edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani e sidomos rreth Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (BE-ja e Beogradi i quajnë pikëkalime). Sa i përket marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale do të insistohet që Kosova të jetë e pranishme me të njëjtën formulë edhe në forumet ndërkombëtare.

Ndër temat e para në dialog, të cilat nga aspekti teknik janë gati si marrëveshje, por duhet të arrihet një pajtim në nivel të lartë politik, janë edhe ato për telekomin dhe për energjinë, shkruan më tej gazeta “Koha ditore”.
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës