Thaçi: Do respektojmë marrëveshjen
për lëvizje të lirë me Serbinë

Thaçi: Do respektojmë marrëveshjen<br />për lëvizje të lirë me Serbinë
Kryeministri Thaçi deklaron se institucionet e Kosovës do të respektojnë marrëveshjen për lëvizje të lirë me Serbinë, pa qasje diskriminuese ndaj askujt. Deklarata është bërë pas takimit që kryeministri zhvilloi me kryeministrin Daçiç, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton.

“Lufta e ftohtë ka mbaruar; ne jemi për bashkëpunim, për fqinjësi, komunikim, lëvizje të lirë dhe pa qasje diskriminuese. Në rast të ndonjë kërkese për të vizituar Kosovën, institucionet do të marrin vendimin meritor në përputhshmëri me kushtet, rrethanat që mund të krijohen” ka thënë Thaçi.

Por, e gjithë situata është shtensionuar të hënën mbrëma në Bruksel me deklaratën e kryeministrit Thaçi, i cili ka thënë se “në rast të ndonjë kërkese për të vizituar Kosovën, institucionet do të marrin vendimin meritor në përputhshmëri me kushtet, rrethanat që mund të krijohen”.

Të dy kryeministrat e kanë vlerësuar takimin e mbrëmshëm në Bruksel, si konstruktiv dhe të sukseshëm. 

I kënaqur me takimin është shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili nuk ka hezituar të thotë se kjo “ka qenë një nga ditët më të suksesshme të dialogut”.

“Kemi diskutuar për çështje që për kohë të gjatë kanë qenë aktuale dhe kanë paraqitur pengesë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht në organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Shpresoj që ajo për të cilën jemi pajtuar, të realizohet deri në fund të javës dhe me këtë të krijohen kushte për zgjedhje të ndershme lokale”, ka thënë Daçiç, për të shpjeguar se çështja kryesore në këtë rrafsh është ajo e regjistrimit të votuesve.

“Regjistrimi i atyre votues që kanë dallime në listat tona dhe të Prishtinës. Bëhet fjalë për më shumë se 10-12 mijë njerëz, të cilëve do t’iu njihet e drejta të regjistrohen në listat zgjedhore në katër komunat në veri. Kur bëhet fjalë për zgjedhësit jashtë Kosovës, jemi marrë vesh që përmes mekanizmave specifikë të krijojmë kushtet që sa më shumë njerëz të kenë të drejtë vote”, ka thënë Daçiç.

Pas takimit të mbrëmshëm “Ivica Dacic ka shume mundesi të vijë në Kosove dhe të bëjë fushatë per Listen Srbija.”- shkruan sot gazeta Express.

Vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, gjatë kohës kur në vend zhvillohet fushata për zgjedhjet e 3 nëntorit, kanë qenë temë e deklaratave kontradiktore të zyrtarëve kosovarë, ditëve të fundit.

Disa ministra të Qeverisë Thaçi kanë thënë se asnjë zyrtari serb nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë përgjatë 30 ditëve fushatë; të tjerë kanë thënë se ndalesa vlen vetëm për kryetarin e Qeverise serbe, Daçiç.


Marrë nga gazeta Express
Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore