Thaçi: Do të bisedojmë, por nuk
i harrojmë tmerret e Serbisë

Thaçi: Do të bisedojmë, por nuk<br />i harrojmë tmerret e Serbisë
KOSOVE- Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet reciproke dhe të ndërtojnë perspektivën e qartë evropiane, deklaroi dje Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Duke folur para Kuvendit të Kosovës, ai bëri një njoftim publik në lidhje me takimin e zhvilluar më 19 tetor në Bruksel, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Në fjalimin e tij, Thaçi tha se nuk ka ndonjë nostalgji apo dëshirë për të takuar lidershipin aktual të Serbisë, por ky proces sipas tij, tani është në interes të Kosovës dhe procesit të saj integrues. Thaçi theksoi se pavarësisht dialogut ne kurrë nuk do ta harrojmë tmerrin dhe dhimbjen që na ka shkaktuar Serbia.

“Unë personalisht nuk vuaj nga ndonjë nostalgji për t’i takuar udhëheqësit e një shteti që kanë shkaktuar vuajtje shekullore deri në përmasat e gjenocidit për qytetarët e vendit tim. Kujtesa jonë për viktimat e luftës të shkaktuara nga Serbia, kujtesa jonë për bijtë dhe bijat më të mirë që kanë rënë në altarin e lirisë, kujtesa për mijëra njerëz të zhdukur do të mbetet gjithmonë e freskët. Kurrë nuk do ta harrojmë tmerrin dhe dhimbjen e shkaktuar nga Serbia”, deklaroi Thaçi.

Përfshirja e drejtpërdrejtë e diplomacisë amerikane në këtë proces të ri dialogu me Serbinë, sipas kryeministrit Thaçi, paraqet një garanci të plotë për Kosovën se bisedimet do të jenë të barabarta dhe në interesin e Kosovës.

“Çështjet që janë ngritur nga baronesha Ashton dhe diskutuar nga të dy kryeministrat, i Kosovës dhe Serbisë në takimin e parë janë: zbatimi në praktikë i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, zhbërja dhe largimi i plotë nga Kosova i strukturave paralele të financuara nga Serbia, mospendimi nga Serbia i Kosovës për anëtarësimin e saj në organizata e forume ndërkombëtare, mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë”, numëroi disa nga këto tema Thaçi.

Vetëvendosje, përmes deputetit Visar Ymeri, e cilësoi takimin e Thaçit me Daçiçit, si takim kriminal.

“Takimi me Ivica Daçiçin është takim kriminal. Ky person, Ivica Daçiç si zëdhënës dhe bashkëpunëtor më i ngushtë i Millosheviqit, ka qenë drejtpërsëdrejti i përfshirë në të gjitha planet kriminale për shfarosjen e shqiptarëve nga Kosova. Tani kryeministri i ynë shkon dhe takon të njëjtin person, buzëqeshet me të para kamerave, ia shtrin dorën dhe asnjëherë nuk i vë kurrfarë kushti”, theksoi Ymeri.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi konfirmoi se takimi i radhës me autoritetet serbe do të mbahet brenda këtij muaji.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK