Thaçi gati t'i japë Haradinajt 3
ministri e zv/kryeministrin

Thaçi gati t'i japë Haradinajt 3<br />ministri e zv/kryeministrin
PRISHTINE- Ramush Haradinaj duket se as sot nuk do të marrë përgjigje pozitive nga Hashim Thaçi. Ky i fundit nuk e ka ndërmend t’ia lërë postin e Kryeministrit për të bashkëqeverisur vendin. Burime të gazetës “Express” kanë bërë të ditur se krejt çka mund t’i ofrohet AAK-së është një post zëvendëskryeministri, që tashmë është i lirë në Qeverinë aktuale, si dhe tri Ministri të tjera.

“Është fol për këto, por pa precizuar emra për ato poste apo për cilat Ministri është fjala. Ne vazhdojmë të qëndrojmë prapa asaj që pa e përmbyll procesin e brendshëm zgjedhor nuk flasim me AAK-në për koalicion”, ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë nga radhët e PDK-së të dielën për “Express”.

Por, një gjë sipas tij është e qartë, PDK nuk e ka ndërmend t’ia japë Kryeministrinë Haradinajt. “As që vjen në shprehje dhe as që do të jetë pikë diskutimi ajo çështje”, tha ai.

E, nga partia e Haradinajt thonë se nuk pranojnë asnjë lloj oferte tjetër. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, i tha të dielën “Express”, se zyrtarisht nuk kanë marrë ende përgjigje nga PDK dhe se janë në pritje.

Mirëpo sipas tij, asnjë ofertë tjetër, pos ajo të cilën i pari i AAK-së e ka bërë publike, nuk do të pranohet.
“Deri tani nuk kemi asgjë rreth ofertës që përmendet, por nëse ata nuk e kanë ndërmend me na dhanë Kryeministrinë e as ne pra nuk e kemi ndërmend me hy në koalicion”, tha Ramadani për Express.

I pyetur nëse një post zëvendëskryeministror dhe tri Ministri do të ishin të pranueshme për AAK-në për të qeverisur vendin, dëshirë kjo për të cilën i pari i saj deklaruar më përpara, Ramadani dha përgjigje negative.

“A pranojmë a jo, dihet se e kemi thanë edhe më herët çka duam”, ka thënë ai.

Ndërkohë mundësia për t’ia dhënë AAK’së tri pozita qeveritare, pa e përfshirë postin e Kryeministrit, ishte përmendur edhe muaj më parë.
PDK si duket nuk e ka ndryshuar mendimin e saj në këtë drejtim, ndërkohë që sipas burimeve të gazetës kjo pritet të jetë edhe oferta zyrtare e Hashim Thaçit për Ramush Haradinajn. Por kundërshtimin e një oferte të tillë Haradinaj e kishte bërë muaj më parë.

“Ju e keni në kujtesën e juaj, ju e dini se cilën ofertë e kemi dhënë. Në rast se ajo ndodh, jemi të gatshëm me marr përgjegjësi. Në rast se jo, kemi thënë se përgjegjësitë që i kemi në jetën politike do t’i marrim me kujdes duke e ruajtur vendin dhe duke ndihmuar që proceset të shkojnë me sukses”, pati thënë Haradinaj pas vizitës që ia kishte bërë familjes së dëshmorit Zahir Pajaziti në fshatin Turiqicë pak kohë pas kthimit të tij nga Haga.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve