Thaçi: Takimi jo rastësisht në Prizren
dy qeveritë japin mesazh europian

Thaçi: Takimi jo rastësisht në Prizren<br />dy qeveritë japin mesazh europian
PRISHTINE - Takimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është një ngjarje historike, e cila është pritur padrejtësisht të ndodh për më tepër se një shekull. Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizionin euroatlantik. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë.
 
“Jo rastësisht po mblidhemi në Prizren, qytetin e historisë dhe të së ardhmes, qytetin e tolerancës dhe të bashkëjetesës. Takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë. Mesazhin e rajonit me kufij të hapur, pa barriera të së kaluarës”, tha ai.
 
Fjala e Thaçit në mbledhjen e qeverisë së Kosovës:
 
“Siç edhe kemi punuar dhe tani më dihet botërisht nesër do të mbahet takimi i dy qeverive, takimi i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.
 
U bënë gjashtë vite që në gjeografinë politike të Evropës, u lind një shtet i ri, shteti i Kosovës, ku edhe e kurorëzuam dinjitetshëm ëndrrën shekullore të qytetarëve tanë me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, shtet demokratik. Kur vendi ynë mori atributin më të lartë të organizimit politik të krijimit të shtetit të pavarur.
 
Pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe e stabilitet për tërë rajonin. Prandaj, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet e rajonit.
 
Nesër në Prizren mbahet mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.
 
Unë dje kam zhvilluar një bisedë telefonike, me kryeministrin e nderuar Rama, me të cilin jemi dakorduar për të gjitha çështjet që i kemi prezantuar edhe më herët dhe kanë punuar grupet punuese, janë dakorduar që të vazhdojmë me takimin tonë në Prizren. Prandaj, falënderoj kryeministrin Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për angazhimin maksimal.
 
Nesër ndodhë ngjarje historike që është pritur padrejtësisht të ndodhë për më tepër se një shekull. Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizion, vizionin euroatlantik.
 
Jo rastësisht po mblidhemi në Prizren, në qytetin prej më të bukurve të rajonit, qytetin e historisë, të ardhmes, qytetin e tolerancës dhe të bashkëjetesës.
 
Sot kujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë tonë kombëtare, që na mundësuan të takohemi, të bashkohemi në Prizren.
 
Takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.
 
Nesër në Prizren ndodhë takimi i përbashkët, takimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Është dashur sakrificë shekullore brezash, që të ndodhte krejt natyrshëm ky takim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, i qeverive tona.
 
Ky takim përshëndetet edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Takimi i Prizrenit ëndrrën e shumë brezave e bënë realitet.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë me takime të tilla me të gjitha vendet tjera të rajonit edhe gjatë vitit 2014”, deklaroi Thaçi.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane