Thaçi: Turp, s'u mbrojt lapidari
Serbia do shkëmbim territoresh

Thaçi: Turp, s'u mbrojt lapidari <br />Serbia do shkëmbim territoresh
Është zhgënjim dhe turp i madh që liderët politikë dhe qytetarët e Luginës së Preshevës nuk bënë as edhe përpjekjen më të vogël për mbrojtjen e Monumentit të UÇPMB’së. Unë i udhëzova ata se si të veprojnë. Me këto veprime, Serbia po e demonstron dëshirën e saj për shkëmbim territoresh. Madje, këtë ide Ivica Dacic e ka përmendur edhe në Bruksel. Por ne i kemi planet dhe strategjitë tona me të cilat do t’i mundim ata.”- ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshmen kosovare Express.

Një pjesë nga intervista e publikuar në gazetën Express


Express: Si e komentoni deklaratën e Kryeministrit Dacic se Serbia ka qenë e gatshme të diskutojë për opsionin e shkëmbimit të territoreve, pra Veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës...
H. Thaçi: Të gjithë ata që kanë njohuri elementare për politikën e Serbisë kundrejt Kosovës e kanë të qartë se opsioni i këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është njëri prej skenarëve të parapëlqyer të Serbisë. Ky skenar është jashtëzakonisht i preferuar për Serbinë sidomos në këtë fazë, kur është e qartë se skenari i Serbisë për ndarjen e Kosovës juridikisht dhe praktikisht është pamundësuar pas aksionit të vendosur të Qeverisë së Republikës së Kosovës të 25 korrikut të vitit të kaluar për sigurimin e tërësisë territoriale të Kosovës.

Express: Pra, Dacic e ka ofruar si opsion shkëmbimin e territoreve gjatë takimeve në Bruksel?
H. Thaçi:
Është e vërtetë që ai e ka ofruar shkarazi këtë opsion disa herë, e ka thënë edhe publikisht, mirëpo ky opsion është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga ana ime dhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse këmbimi i territoreve me Serbinë shkon krejtësisht në dëm të interesave strategjike nacionale të Kosovës. Për më tepër, një opsion i tillë është edhe në kundërshtim të plotë me interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që jetojnë.

Express: Nga kjo që po thoni po nënkuptohet se Serbia, përveç platformës së saj, rezolutës së miratuar me të cilën kërkohet autonomi për Veriun, ka edhe skenarë të tjerë, të cilët është duke i përdorur dhe të cilët nuk janë bërë publikë?
H. Thaçi:
Natyrisht se po, dhe do të ishte naive të mendohej ndryshe. Planet publike, qofshin ato platforma apo rezoluta zakonisht përpilohen për konsum të brendshëm, për të kënaqur kërkesat e partive opozitare dhe pritjet e elektoratit. Në negociata serioze, rrallë ndodh që dokumentet që janë bërë publike të shtrohen në tryezë të bisedimeve. Po të ishte ndryshe, atëherë nuk do të kishte nevojë fare për negociata. Do të mjaftonte që njëra dhe tjetra palë të bënin publike platformën e tyre dhe ndërmjetësi i negociatave të ofronte një zgjidhje përfundimtare, e cila do të reflektonte deri diku pozicionet e dy palëve. Por kjo nuk ndodh në praktikat e negocimit ndërkombëtar. Secili shtet mundohet të nxjerrë maksimumin gjatë negociatave dhe kjo arrihet duke përdorur strategji adekuate për të cilat nuk është në dijeni pala tjetër.


(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit