PRISHTINË,  12  Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Kryesia e Kuvendit të Kosovës, me kryetarët e partive parlamentare, është mbledhur sot për përgatitjet e seancën konstituive të Legjislaturës V të zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit, e cila do bahet në 17 korrik.
"Sot mora pjesë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në të cilën ishin të ftuar kryetarët e partive politike. Që në fillim kishte përpjekje për devijim nga verdikti i popullit, i shprehur me 8 qershor",  bën të ditur lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, kryeministër në përfundim të mandatit të dytë.
Sipas tij, "mbledhja vazhdoi me shkelje të rregullores së Kuvendit, të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, të cilat përcaktojnë decidivisht dhe saktë grupin më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Mbledhja vazhdoi me shkelje të të gjitha praktikave të mëhershme për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës".
"Edhe njëherë dua t'i siguroj të gjithë qytetarët si dhe simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës se ne do të marrim pjesë në seancë konstituive të thirrur nga Presidentja e Republikës së Kosovës me datë 17 korrik, duke zgjedhur kryeparlamentarin të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, si dhe të vazhdojmë me formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Askush nuk do të lejohet të përmbys vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës", thekson Thaçi.
Ai është shprehur kështu pak më parë në Facebook.
Sipas raportimeve të medias ngavendngjarja, pa përfunduar mbledhja s Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me kryetarët e partive parlamentare, lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka lëshuar sallën.
Pas përfundimit të mbledhjes kryeparlamentari i mandatit në përundim Jakup Krasniqi ka thënë se LDK-AAK -Nisma e kanë grupin më të madh parlamentar dhe kjo është në pajtim me Kushtetutën.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i përkrahur për kryeparlamentar nga partia e tij e koalicioni paszgjedhor me AAK-në e Nisma-n, i pyetur nga media nëse frikësohet se Gjykata Kushtetuese do i jep përparësi PDK-së për ta marrë kryeparlamatarin, ka thënë se nuk kanë asnjë frikë për këtë.
Përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, sipas rregullores, janë përgjegjësi e kryetarit nga legjislatura e mëparshme.
Axhenda e mbledhjes konstituive të legjislaturës duhet ta përfshijë formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit e të mandateve, zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës./a.g/