PRISHTINË, 3 Tetor /ATSH-Behlul Jashari/.- "Bashkëpunimi dhe komunikimi kulturor do të jetë një nga çelësat kryesorë për të hapur dyert e Evropës për Kosovën dhe për shtetet e tjera të rajonit", tha sot kryeministri kosovar Hashjim Thaçi.
Në fjalën e tij, gjatë punimeve të Sesionit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian, i cili organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Parlamenti Kulturor Evropian, me përkrahje nga Këshilli Britanik në Kosovë, Thaçi theksoi se "mbajtja e Sesionit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian në Kosovë është një testament i rivendosjes së komunikimit dhe të bashkëpunimit mes artit dhe kulturës në Kosovë dhe në Evropë. Ky rrugëtim vetëm sa ka filluar dhe do të bëhet edhe më intensiv dhe më përmbajtjesor".
Sipas tij, ky rrugëtim nuk është pa sfida, që sikur edhe në të kaluarën më së shumti rrjedhin nga politika.
"Kosova, ndonëse shtet që prej 6 vitesh, ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e Evropës. Kjo e pengon komunikimin mes Kosovës dhe shteteve dhe popujve të Evropës", theksoi Thaçi.
Por, vijoi ai, edhe këtu, deri sa politikanët kosovarë kërkojnë rrugë e mënyra për të arritur deri te homologët e tyre nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, artistët dhe personalitetet e kulturës kanë arritur që jo vetëm të vejnë ura komunikimi, por edhe të përçojnë mesazhin se Kosova është dhe dëshiron të mbetet vend ku diversiteti kulturor konsiderohet si pasuri dhe thelb i identitetit dhe qenies.
"Politikanëve dhe politikës nuk u mbetet tjetër vetëm që të mbështesin dhe përkrahin artistë të tillë dhe ura të tilla komunikimi", u shpreh Thaçi. Sot, tha ai, pasi janë vënë themelet e shtetit të Kosovës, shoqëria kosovare mund të kthejë sytë përpara dhe të shikojë me optimizëm nga e ardhmja.
Në sesion, i cili do të vazhdojë deri në 5 tetor, marrin pjesë rreth 100 personalitete të kulturës nga Evropa dhe mëse 30 artistë të ndryshëm nga Kosova. Para Prishtinës ECP ka mbajtur sesione në 12 kryeqytete të botës. ECP konsiderohet një prej organizatave më të mëdha të njerëzve të kulturës në Evropë, por edhe nga vende të tjera./k.s/f.n/










