Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përfundim të vizitës zyrtare në Slloveni zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar.
Sipas KosovaPress, Thaçi dhe Cerar diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në perspektivën evropiane të rajonit.
Zëvendëskryeministri Thaçi kërkoi që marrëdhëniet e shkëlqyera nga rrafshi politik të zgjerohen edhe në sferën e ekonomisë dhe inkurajoi investitorët sllovenë që të investojnë në Kosovë.
"Sllovenia është ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, me rreth 250 kompani sllovene prezente në Kosovë që kanë hapur rreth 2000 vende pune, me histori suksesi si IPKO dhe NLB. Kosova ka potenciale të pashfrytëzuara dhe Sllovenia ka përvojën dhe mundësitë për të bashkëpunuar ekonomikisht me Kosovën", u shpreh Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se, Bashkimi Evropian nuk duhet të vonohet me Kosovën dhe se është e rëndësishme që BE-ja të hapë dyert për Kosovën dhe rajonin.
Kryeministri i Sllovenisë, Cerar, u shpreh se Sllovenia mbështet perspektivën evropiane të rajonit dhe se do të avokojë që BE-ja të jetë edhe më aktive në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Sllovenisë, Cerar, sikur edhe presidenti Pahor ndanë pikëpamje të njëjta me zëvendëskryeministrin Thaçi për zhvillimet në rajon./atsh/