PRISHTINË, 16 Janar/ATSH-B.Jashari/.-Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar vizitën e tij zyrtare në Ulqin, ku është pritur nga qindra shqiptarë, të cilët ishin mbledhur para komunës së Ulqinit.
Burimet zyrtare të MPJ-së kosovare në këtë vizitë bëjnë të ditur se, fillimisht zëvendëskryeministri Thaçi është ndalur te memoriali i të dëbuarve nga lufta e Kosovës më 1999, ku ka vendosur një kurorë me lule. Më pas, ai është takuar me përfaqësuesit shqiptarë në Ulqin, ku ka diskutuar për avancimin e pozitës politike të shqiptarëve në këtë shtet.
"Shqiptarët në Mal të Zi i kanë të gjitha përgjegjësitë institucionale. Duhet të kenë një përfaqësim më dinjitoz në Kuvendin dhe qeverinë malazeze. Kjo ka qenë temë e bisedimeve që sot kam pasur me krerët e shtetit malazez", theksoi Thaçi.Ai ju ka bërë thirrje shqiptarëve që mos të lëshojnë pronat e tyre dhe të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Ulqinit.
Zëvendëskryeministri kosovar Thaçi ka premtuar angazhim edhe sa i takon shkëmbimit më të madh në fushën e arsimit, sidomos në shpërndarjen e Abetares.
"Studentët shqiptarë nga Mali i Zi që studiojnë jashtë, duhet të kthehen dhe t'i kontribuojnë përfaqësimit të interesave të tyre brenda këtij shteti", tha Thaçi.
Sipas tij, shqiptarët në Mal të Zi duhet të ndihmojnë në zhvillimin dhe ruajtjen e unitetit politik dhe të kontribuojnë aktivisht në demokracinë dhe ekonominë e Malit të Zi.
Nga ana tjetër, kryetari i Ulqinit, Fatmir Xheka ka theksuar se me vizitën e tij, zëvendëskryeministri Thaçi ka nderuar të gjithë shqiptarët e Malit të Zi.
"Është nder shumë i madh që kemi një personalitet kaq të madh shqiptar në Ulqin. Ai ka bërë shumë për Kosovën, por edhe për shqiptarët në Mal të Zi", ka theksuar ai.
Gjatë ditës, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës Thaçi ka takuar krerët më të lartë shtetërorë të Malit të Zi./m.m/










