Thaçi dekoron tenorin me famë botërore Ramë Lahaj

Thaçi dekoron tenorin me famë botërore Ramë Lahaj

Hashim Thaçi dhe Ramë Lahaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekoroi sot me Medaljen Presidenciale të 10 vjetorit të Pavarësisë tenorin e njohur kosovar, Ramë Lahaj, për afirmimin e Kosovës në botë. Në ceremoninë e dorëzimit të medaljes të zhvilluar në presidencë, Thaçi tha se “tenori Lahaj përmes artit muzikor po shkëlqen kudo në skenat botërore dhe po e afirmon denjësisht emrin e Kosovës”.

“Kosova ka shumë talente, ka shumë profesionistë që me përkushtim po arrijnë majat e suksesit në arenën ndërkombëtare”, theksoi  Thaçi. Ndërsa, tenori Ramë Lahaj u shpreh i nderuar për këtë dekoratë të veçantë nga presidenti Thaçi.

“Ndjehem i nderuar, sepse shumë njerëz të merituar e kanë marrë këtë dekoratë për këtë dhjetëvjetor të pavarësisë”, u shpreh tenori Lahaj. Presidenti Thaçi dhe tenori Ramë Lahaj diskutuan edhe për mundësitë dhe vështirësitë që mund t’i ketë jeta në diasporë për ndërtimin e karrierës profesionale.

I lindur në Istog të Kosovës, në vitin 1983, Ramë Lahaj, aktivitetin e tij profesional muzikor e filloi në moshën 21 vjeçare, atëherë kur u regjistrua në Akademinë e Arteve të Tiranës, në klasën e profesorit, baritonit shqiptar Burhan Spahiut dhe me konsultime të herë pas hershme me sopranon Suzana Frashëri.

Rruga e depërtimit në skenat operistike europiane filloi në vitet 2010/2011 me konkurimet në audicione të shumta operistike, ku afërsisht në 90 përqind të këtyre konkurimeve ka qenë fitues. Pas debutimit dhe realizimit të suksesshëm të rolit sfidues të Alfredo Germontit në operën “La Traviata” të Verdit, të realizuar në Gjermani në Festivalin Eutin, Lahaj me të njëjtin rol merr pjesë në Lybeck të Gjermanisë, ku mori kritika të shkëlqyera nga shtypi gjerman, ku e cilësuan si “zbulimi më i mirë i skenës operistike gjermane”.

Në vitin 2012 ai bëri një tjetër debutim në rolin e Rodolfos në “La Boheme” në teatrin e Dortmundit dhe më vonë ai interpretoi të njejtin rol në operën nacionale të Montepellierit në Francë. Gjatë vitit 2013- 2014 kishte një sukses të madh në Sempre Opera të Dresdenit në rolin e Duka di Mantova në operën “Rigoleto” dhe në Royal Albert Hall të Londrës këndoi Rodolfon nga “La Boheme”.

Në mars-prill të vitit 2014 “La Traviata” do të magjepste publikun e operës shtetërore të Hamburgut. Po të njëjtin vit, në Festivalin Puçini në Itali, Lahaj u shfaq në operën “Madam Butterfly” dhe në Central Park të Stokholmit në koncertin memorial për nder të Jussi Bjorling.

Në 2014, Lahaj interpretoi rolin e Duka di Mantova në operën “Rigoleto” në Teatrin e Operës së Salzburgut, ndërsa në mars të 2015 u ngjit në skenën e Operës Nacionale Polake në Varshavë. Në shkurt të këtij viti Lahaj interpretoi në operën “La Traviata”, që u shfaq në Operën Kombëtare të Parisit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë