Thaçi: Kam bërë gabime, por jo krime lufte!

 Kreu i Shtetit të Kosovës, pranoi se mund të ketë bërë gabim, por kurrë krime lufte.

"U drejtohem sonte nga kjo zyrë ku prej 1542 ditësh kam nderin e jashtëzakonshëm të  ushtrimit të detyrës së lartë të Presidentit të shtetit tonë, Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike! Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer. Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë. Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim. E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja. Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike. Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar. Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën. Por, politika i ka edhe këto. Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri. Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha. Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale. Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin. Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me gjoja nisjen e një procesi për krime lufte! E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madhe njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli.

Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë! Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Slobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar. Por, një gjë më lejoni ta bëj shumë të qartë: Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare. Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë.", u shpreh Thaçi.


Lajmi kryesor:

Thaçi flet për herë të parë: Nëse akuza konfirmohet, do dorëhiqem! Publikimi para takimit në SHBA, hodhi në erë paqen Kosovë- Serbi!


B.K.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie