PRISHTINË, 3 Dhjetor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri Kosovar Hashim Thaçi bën të ditur se nesër do jetë në New York për sesionin e Këshillit të Sigurimit të OKB ku do te prezantoje rezultatet e Kosovës për periudhën e kaluar, ndërsa ka theksuar edhe vlerësimin ndërkombëtar se shteti i ri ka ndryshuar shumë për mire. "Organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve dhe finalizimi i formulës gjithpërfshirëse qeverisëse, përfundimi i suksesshëm i negociatave për MSA, raporti pozitiv i progresit për liberalizim të vizave, përfshirja e Kosovës në koalicionin global kundër ISIS por edhe anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik si shtet sovran, janë disa nga aspektet pozitive që janë shënuar muajt e fundit", thekson Thaçi.
"Në vigjile të Qeverisë së re, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës pohojnë me krenari se shteti ynë ka ndryshuar shumë për të mirë në katër vitet e fundit ndërsa implementimi i Marrëvesjes së Brukselit, krijimi i Forcave të Armatosura dhe krijimi i vendeve të reja të punës mbetën prioritetet për vitin në vijim", shprehet Thaçi.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në seancën e të enjtes pasdite do të shqyrtojë raportin e rregullt të Sekretarit të Përgjithshëm Ban ki Moon mbi zhvillimet tremujore në Kosovë, të cilën përfaqësohet nga kryeministri Hashim Thaçi. Në seancën e KS të OKB-së pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. /a.ke/











