Kryeministri Hashim Thaçi shprehet sot se, "një lajm i mirë vjen nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me pranimin ndërkombëtar të kodit të pavarur IBAN të Kosovës".

"Tani Kosova ka kodet e pavarura ndërkombëtare SWIFT edhe IBAN që do të mundësojnë transferta më të lehta dhe të sakta të parave, transparencë më të plotë dhe mundësi të luftimit të shpërlarjeve të parave", thekson Thaçi.
Në një postim në Facebook, Thaçi thotë se "ky është rezultat i përbashkët i Bankës Qendrore, bankave tregtare kosovare, por edhe miqve nga shtetet partnere që kanë lobuar prej kohësh që Kosova të rrumbullaksojë pavarësimin e sistemit të saj bankar".

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vlerëson se "përdorimi i formatit IBAN do të forcojë afirmimin ndërkombëtar të institucioneve financiare të vendit".

Ajo ka njoftuar se ka pranuar njoftimin për regjistrimin e formatit IBAN të numrave të llogarive të mbajtura në bankat e Kosovës. Që nga zyrtarizimi i kodeve SWIFT të bankave të Kosovës vitin e kaluar, Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës dhe bankat tregtare të vendit kanë qenë të angazhuara për zyrtarizimin edhe të formatit IBAN të numrave të llogarive bankare të Kosovës me qëllim të avancimit të mëtejshëm të kryerjes së pagesave ndërkombëtare. /ATSH/