PRISHTINË, 2 Mars /ATSH/.- Roli i Gjermanisë është jetik për Ballkanin, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili zhvilloi të hënën një takim me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier dhe zyrtarët të tjerë të lartë, gjatë vizitës zyrtare Berlinit. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë së Punëve të Jashme të Kosovës, zv/kryeministri Thaçi falenderoi Gjermaninë për angazhimin e saj në përkrahje të Kosovës gjatë këtyre viteve. "Gjermania është një nga partnerët kryesorë të Kosovës", ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi, duke shtuar se "mbështetja që nga viti 1999 ka qenë jetike për Kosovën dhe për rajonin".
Thaçi njohu ministrin Steinmeier me angazhimin e Kosovës për t'u përballur me sfidat, veçanërisht me atë të fundit, të emigrimit ilegal të kosovarëve, për të cilët u tha se nuk do të gjejnë vend në Gjermani dhe askund në BE dhe do të duhet të kthehen prapa.
Ai foli edhe për zhvillimet në bashkëpunimin rajonal, integrimet euro-atlantike, progresin në dialogun me Serbinë si dhe në themelimin e Gjykatës Speciale, thekson njoftimi derguar nga Berlini i MPJ kosovare.
Zv/kryeministri Thaçi kërkoi ndihmën e Gjermanisë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Partneritetin për Paqe të NATO-s si dhe në lobim të shtuar për njohjen e Kosovës nga shtetet e BE-së.
Më herët gjatë ditës, Thaçi takoi Grupin Parlamentar për Evropën juglindore të Bundestagut Gjerman me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Grupi Parlamentar, i kryesuar nga deputeti Peter Weiss i CDU-së, është interesuar për zhvillimet në Kosovë dhe për rolin e Gjermanisë në këto zhvillime.
Zv/kryeministri Thaçi informoi deputetët e Bundestagut për zhvillimet e Kosovës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit dhe ka falënderuar nikoqirët gjermanë për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës. "Përkrahja e Gjermanisë edhe në të ardhmen mbetet jetike për aspiratat për anëtarësim në BE dhe në NATO si për Kosovën ashtu edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor", tha në këtë takim zv/kryeministri Thaçi./b.j/ /a.ke/












