Thaçi: Në janar Kosova anëtarësohet në Gjykatën e Arbitrazhit


PRISHTINË, 19 Nëntor/ATSH/.- Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi deklaroi se Kosova së shpejti do të bëhet pjesë e Gjykatës së Arbitrazhit si dhe qytetarëve të saj do t'iu hiqet detyrimi i legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja, ose thënë ndryshe vulat apostile.
"Kemi ndërmarrë dy veprime shumë të rëndësishme në fushën e politikës së jashtme duke depozituar aktet e aderimit në Konventën e Hagës "Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja" (thënë ndryshe Konventa e Apostilës), si dhe në konventën themeluese të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit", shkruan Thaçi në rrjetin social Facebook.
Në rastin e Konventës së Apostilës, ai tha se Kosova hyn në një kapitull të ri të angazhimit multilateral ndërkombëtar, pasi bëhet fjalë për të parën marrëveshje shumëpalëshe mbarëbotërore, ku vendi ynë bëhet palë. "Konventa do të hyjë në fuqi për Kosovën më 14 korrik të vitit 2016 dhe falë saj do të hiqet kërkesa për legalizim të dokumenteve publike të jashtme, duke ua lehtësuar jetën shumë qytetarëve kosovarë, të cilëve deri tani u është dashur të harxhojnë kohë e para për të bërë legalizime dokumentesh nëpër konsullata", tha ai.
Nëpërmjet nënshkrimit të dytë, i cili hyn në fuqi më 5 janar 2016, Kosova, sipas Thaçit, bëhet pjesë e njërës prej organizatave më të vjetra e të rëndësishme ndërshtetërore, që merret me zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. "Të dyja këto arritje rrisin angazhimin multilateral të Kosovës dhe forcojnë ndjeshëm profilin ndërkombëtar të shtetit tonë duke konsoliduar edhe më shumë subjektivitetin tonë ndërkombëtar", përfundon Thaçi./m.m/

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon