PRISHTINË, 15 Qershor /ATSH/.-Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, në vizitën zyrtare në Mbretërinë e Norvegjisë, gjatë ditës së sotme, së bashku me ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, pati një drekë pune, të cilën e vlerëson shumë përmbajtësore, me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë Børge Brende dhe ekipin e tij.
"Shtjelluam shumë çështje që ndërlidhen me progresin në Kosovë, rajon si dhe sfidat globale që brengosin dy shtetet, si lufta kundër ekstremizmit. Norvegjia ka dhënë dhe po jep ndihmë masive dhe përkrahje politike për Republikën e Kosovës me vite të tëra. U pajtuam për veprime të përbashkëta në disa fusha, përfshi anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare", shkruan Thaçi në 'Facebook'.
Po ashtu, ai bën të ditur se ditën sot e ka nisur me një diskutim në tryezën e rrumbullakët në Institutin Norvegjez për Politika të Jashtme NUPI, ku me ekspertë norvegjezë diskutuan për çështjet kryesore në Kosovë, Ballkan dhe më gjërë. "Potencova rolin pozitiv të Kosovës në arritjen e progresit në Ballkan, ndërsa dhash edhe një intervistë për portalin informativ të institutit", shkruan Thaçi.
MPJ kosovare njoftonte dje se, gjatë qëndrimit dyditor në Oslo, zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet edhe me ministrin për Zonën Ekonomike Evropiane dhe për Çështje të BE-së, Vidar Helgesen, si dhe me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Norvegjisë në Stortinget./b.j/f.n/










