Thaçi: Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqjen

Hashim Thaçi e ka cilësuar si një bombë në rrugën e paqes me Serbinë, publikimin  e kësaj aktakuze shumë pak përpara se të nisej për në Shtëpinë e Bardhë, teksa tha se nëse aktakuza konfirmohet, do të jap menjëherë dorëheqjen si President.

"Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë. Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira.Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë.

Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë. Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?

Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës. Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik.

Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë. Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor? Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Ndërsa përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është se: Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike. I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike", tha Thaçi.


Lajmi kryesor:

Thaçi flet për herë të parë: Nëse akuza konfirmohet, do dorëhiqem! Publikimi para takimit në SHBA, hodhi në erë paqen Kosovë- Serbi!


B.K./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha garantohet

Kushtetuesja tha garantohet "vota parapëlyese në 2/3 e listës", shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive