PRISHTINË, 18 Dhjetor/ATSH/.- Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi përshëndeti vendimin e Presidentit të SHBA-së, Barack Obama për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Kubën.
Sipas KosovaPress, Thaçi u shpreh se kështu u shemb një ndër muret e fundit të mbetur të Luftës së Ftohtë.
"SHBA në këtë mënyrë nis një kapitull të ri të marrëdhënieve me Kubën. Rasti i ngjashëm i normalizimit të marrëdhënieve me Vietnamin është një dëshmi se diplomacia dhe dialogu kanë efekt shumë pozitiv, qoftë në krijimin e një klime më paqësore në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare e qoftë në zhvillimin e brendshëm drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Fuqimisht besoj se ndryshimet pozitive do të arrihen nëpërmjet angazhimit dhe ndërveprimit e jo nëpërmjet izolimit", ka shkruar ai në rrjetin social "Facebook".
Thaçi më tej shkruan se dialogu që ka zhvilluar me homologun serb ofron dëshmi se rruga e dialogut dhe e ngritjes graduale të marrëdhënieve diplomatike është rruga më e mirë për të zgjidhur problemet ndërshtetërore të së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme të fqinjësisë së mirë./m.m/