PRISHTINË, 16 Janar /ATSH-B.Jashari/.- Zv/kryeministri e Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi bëri të ditur se, sapo ka përfunduar një vizitë intensive dhe shumë të frytshme bilaterale në Podgoricë. "Në bisedimet e ngrohta dhe miqësore që pata me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez diskutuam dhe u dakorduam për një sërë çështjesh të rëndësishme për vendet tona dhe rajonin. Po ashtu u angazhuam për të vënë në jetë disa projekte konkrete politike, infrastrukturore dhe kulturore të cilat do t'i thellojnë dhe konsolidojnë ndjeshëm marrëdhëniet shtetërore Kosovë-Mali i Zi", thekson Thaçi.
Ai thekson se "me kryeparlamentarin e Malit të Zi, Ranko Krivokapic, biseduam për intensifikimin e bashkëpunimit në mes dy parlamenteve tona". "Po ashtu, biseduam me kryeparlamentarin Krivokapic për bashkëpunim më të madh në fushën e diplomacisë parlamentare. Dëshirojmë të shohim më shumë investime të bizneseve malazeze në Kosovë dhe bizneseve kosovare në Mal të Zi", thekson Thaçi.Në vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, Thaçi u prit nga përfaqësuesit me të lartë të këtij shteti. Fillimisht ai u prit në një takim nga zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane, Igor Lukshiç.
Më pas, zv/kryeministri Thaçi zhvilloi takime edhe me kryeministrin Milo Gjukanoviç, me presidentin Filip Vujanoviç si dhe me kryetarin e parlamentit, Ranko Krivokopiç.
Në këto takime u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, shkëmbimin ekonomik, kulturor, për projekte të përbashkëta infrastrukturore, për bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Thaçi u takua edhe me përfaqësuesit kryesorë të bizneseve malazeze, ku kërkoi më shumë shkëmbim tregtar mes bizneseve të Kosovës dhe atyre të Malit të Zi.
/m.m/










