Ashtu si në tragjeditë antike, kur njerëzit shkonin te orakujt për të shpjeguar ëndrrat e tyre, ashtu si tri magjistricat i thonë Makbethit e Bankos fatin që i prêt, ashtu si në veprën e Markezit gjithçka ndodh siç është parathënë, ashtu edhe tri nuset e qiellit zbresin ditën e tretë duke vulosur fatin e djalit duke lënë një shenjë sa një thua të vrarë mbi hundën e tij.
Është kjo hyrja e romanit të fundit “Kohë e djegur” e autorit Thanas Medi, fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë(2013). I shfaqur papritur në letërsinë shqipe pas disa botimeve sporadike në shtypin e kohës në vitet ’80, ai vjen pas një periudhe reflektimi rreth 30-vjeçare, duke zbrazur materialin e grumbulluar brenda tij.
Kohë e djegur është një kohë që nuk ka mundur të jetohet kur duhej, është si një kohë e mbetur pezull,si një jetë paralele që s’ka vend ku të vendoset, që është e pamundur të realizohet, por është një ëndërr nga e cila nuk duam të heqim dorë. “Sidoqoftë, ata të dy kishin kohën e tyre, unë isha si pa kohë. Si me kohë të djegur. Siç kisha qenë thuajse gjithmonë në jetën time. Kohë të ngecur në ca çaste kulmorë vërtet, por që ktheheshin shumë shpejt në kujtime.”
E mbushur me ngjyra dhe bestytni fshatare, vepra gjallon në dy vende e kohëra që përfaqësojnë dy kahe të ndryshme: periudhën diktatoriale që sundohej nga përbashkësia dhe miti i individit dhe ajo postdiktatoriale që përveç rrëmujës, zbrazjes së fshatrave, derdhjes masive të shqiptarëve përtej kufirit, solli edhe shumë “liri” që u keqtrajtua nga shqiptarët.
Problemi i fatit të njeriut të ndëshkuar nga diktatura, trajtohet nga një këndvështrim tjetër. Heroi e humbet rrugën në çastin e fillimit të persekutimit dhe çorientohet duke mos e gjetur më atë. Gjërat e mbetura në mes e djegin bashkë me dinjitetin e humbur. Ai fillon të ndihet i huaj, i krijohet një boshllëk që nuk e mbush dot asgjë. Me ndryshimin e kushteve jetësore dhe mbarimin e përndjekjes, ai mund ta rifilloj jetën, por kjo nuk është më e mundur.
Autori paraqet shumë fakte si parathënie, por vetëm kur i shkon në fund romanit kupton se sa të vërteta bëhen ato. Lufta kundër tyre është si luftë ndaj perëndive në antikitet, fundi dihet. Që në fillim parashtrohen të dhënat : “- Ti Azis, keq e ke me atë bile! Jo që s’do bëhesh ndonjëherë komandant, por kam frikë se do mbetesh pa martuar fare!”,apo : Vajzën më të bukur, e merrte për nuse mashkulli me palloshin më të madh. Gjithçka i nënshtrohet fatit. Asgjë nuk e ndryshon dot atë. Pritet vetëm ndonjë magji që nuk ndodh kurrë. Edhe pse përmenden disa besëtytni, asnjë nga personazhet nuk bëhet pre i tyre. Ato shërbejnë si makina lëvizëse të fatit.
Në pamje të parë duket një roman për dashurinë që nuk mbaron, për atë të përjetshmen që zë fill që nga fëmijëria, me fqinjen e bukur, që u bë shoqja e bankës dhe më pas e fejuara. Përballë saj shfaqen kundërshti në të cilat më e forta është “njolla” në biografi që mbeti e pakalueshme, që e prishi ekuilibrin që nuk u kthye më me gjithë përpjekjet për ta ringjallur dashurinë e vjetër.
Autori i jep shumë mundësi heroit të vet që të ngrihet pas çdo rrëzimi që ka pësuar nga goditjet e jetës. Ai përpiqet që ta ndajë nga e shkuara dhe ta nxisë drejt horizonteve të reja. Duket e vështirë po jo e pamundur. Ai lufton me fatin e keq , por çdo shteg i ri që gjen nuk e çon veçse në humnerë nga e cila duhet të ringrihet.
Triumfon në shkollën e lartë duke u bërë që në vit të parë drejtues i gazetës dhe bashkohet me të dashurën e vet. Po sa më lart të ngjitesh, aq më shumë vritesh ,-thotë populli. Një njollë e shfaqur papritur në biografi e kthen në një koperativist të rëndomtë. Edhe aty mundohet të ringrihet duke u mbajtur pas një kënge himn që thur për partinë, por vetëm pak, shpejt gremiset dhe përfundon në brigadën e plehut. Edhe në planin sentimental ndodhin po këto ngritje-ulje. Autori ia jep forcën për të vazhduar derisa ndodh momenti tragjik, vrasja, e cila ua vë kapakun të gjithave. Aty libri përfundon duke të lënë përshtypjen e fatalitetit.
Ai e shoqëron heroin e vet deri në skutat më të fshehta e të thella të shpirtit duke e bërë të denjë si hero, si shembull që duhet ndjekur. Përshkrimet e shumta të botës së tij,reagimet e qëndrimet, forca me të cilën dashuron apo lufton për të fituar, u ngjan heronjve të përrallave që duken të pamposhtur. Forca më e madhe lëvizëse është dashuria. Një dashuri që fiton gjithmonë. Si forcë shtytëse në vepër janë edhe të vërtetat e zbuluara papritur apo që dihen si parathënie, po nuk u kushtohet rëndësi. Ato injorohen, por janë shumë kokëforta dhe bëhen të pashmangshme në fatin e tij.
Krijimi i mjediseve të reja jetësore i jep mundësi heroit që të fillojë një jetë të re, po fati nuk i buzëqesh dot këtij njeriu që shoqërohet nga ndjenja e fatalitetit. Krahët e djegur të dashurisë nuk mund të fluturojnë . Ato jetojnë, sepse nuk mund të vdesin. Zgjimi i saj mund t’i ripërtërijë. Por të gjitha përpjekjet u dukën të kota.
Azis Korbi ndihet i përjashtuar si në atdheun e tij kur e bënë armik, kur mbeti vetëm pa të fejuarën e tij, duke e parë atë të martohej me një tjetër, ashtu edhe në Greqi ku ishte një emigrant. Përjashtimi e bën atë të pafuqishëm për të luftuar për realizimin e shpresave në jetën e tij. Ndaj ai ndihet i huaj në këtë botë. Edhe pse ka shumë vullnet dhe nuk dorëzohet para vështirësive ai mbetet një njeri me kohë të djegur.
Të qenit i huaj nuk i lind atij ndjenjën e urrejtjes e të hakmarrjes. Ai këmbëngul deri në fund për realizimin e ëndrrës së tij, por nuk hakmerret ndaj kundërshtarit edhe kur i ka të gjitha arsyet. Gjithë hakmarrja e tij shkon me një tregim në gazetë dhe ca grushta Katarsisi në letërsi vazhdon të jetojë ende. Po si mund të jetë një shpirt poetik që mundohet të sfidojë fatin e parathënë? Ai i pranon të gjitha humbjet përveç dashurisë. Sa më shumë e zbulon Azis Korbin aq më shumë bindesh për mirësinë e tij, i jep të drejtë për dëshirat që ushqen, kërkon që ato të plotësohen, pret që të hakmerret rëndshëm ndaj kundërshtarit të tij Pavllo Xhorrit .
‘’ E më bënë të ditur për herë të parë, rreshtimin tonë në dy krahë të kundërt. Ai njeriu i shtetit, unë armiku. Ai biri i denjë i vendit, unë bastardi. Ngordhësira, i papërfillshmi i tij. I tepërti. E kaluara më shtoi në trup ethet e shpagimit. M’u duk pak një tregim në gazetë, për të cilën i kundërti im nuk e rruante fare. Shumë pak. Duhej diçka më vrastare.”
Mbi gjithë veprën vërshon një shqetësim i brendshëm që lufton pareshtur me fatin e keq:
1. Shqetësimi për fatin e njeriut në diktaturë, që i priten ëndrrat në mes, për “ faje” që nuk ka përgjegjësi, por që e përndjekin ashtu si te heronjtë e tragjedive antike me konflikte në dukje më të zbehta, po me fund të njëjtë. Ky fat duket qartë në fjalët e Pavllo Xhorrit, punonjës i sigurimit në diktaturë: “Flaka t’i dalë këtij vendi, ty nuk ka ç’të duhet. Bëj sehir dhe fërko duart!”
2.Shqetësimi për fatin e një emigranti shqiptar që largohet nga vendi i tij, jo se aty nuk mund t’ia dalë, por se shpreson se në dhe të huaj do të fitojë më shumë, pavarësisht se atje gjen një mjedis armiqësor që është gati ta sakrifikojë, vetëm për ta bërë shembull për të tjerët. Kjo përfaqësohet në vepër nga grupi “Djemtë e mbarë” që vepronin në Elinohor, në fshatin ku u vendos Azis Korbi në Greqi. Ata nuk lejonin këmbë të huaji në fshat.
3.Shqetësimi për fatin e individit në të ashtuquajturën demokraci, ku vendoset përballë shanseve jo të barabarta, që bëhet pre e të mëdhenjve që janë bërë të tillë në mënyrë të padrejtë dhe nuk u lejojnë të ngrejnë kokën e të shfaqin veten duke ua prerë të gjitha rrugët. Përfaqësimi në vepër bëhet nga Pavllo Xhorri i cili vazhdon të mbetet në fuqi edhe pasi u ndërruan sistemet.
4. Shqetësim për fatin e një brezi të tërë që kërkon të shkollohet për tri ditë duke u gdhirë i diplomuar papritur dhe duke tundur diplomën si shenjë e dijes së tyre, pa pasur frikë nga injoranca që i sundon. Që nuk hoqa dorë nga diploma e blerë, tregonte se isha prekur dhe unë nga flama e përgjithshme. Nga ajo që pillte batakçinj.
Nga ana kompozicionale romani në pjesën më të madhe të tij ndërtohet në dy linja paralele, një ngjarje që ndodh në momentin e rrëfimit dhe një tjetër që tregohet në retrospektivë. Janë dy dashuri që përpiqen të mbijetojnë në zemrën e Azis Korbit, njëra që është bërë pjesë e trupit të tij, një dashuri e madhe që jeton bashkë me të dhe dashuria me shikim të parë me një greke që guxoi të hedhë sytë mbi një emigrant, por duke njohur mjedisin përreth tyre nuk pranon të dorëzohet te shqiptari edhe pse tundimi është i madh. Kjo lloj dashurie zhduket pa lënë gjurmë kur ai kthehet në atdhe, pasi e kanë ndëshkuar edhe atje.
Duket që heroi nuk gjen paqe edhe pse mundohet të integrohet, ashtu si pjesa më e madhe e emigrantëve në Greqi. Paragjykimet ndaj shqiptarëve të shprehura edhe te “Hija e mallkuar’’(roman tjetër i autorit), përforcohen edhe në këtë roman. Mendoj se largimi për në Greqi përdoret si një mënyrë për t’u larguar nga ngjarjet në Shqipëri që lidhen kryesisht me dashurinë e humbur. Pa dashuri nuk ka jetë,- thekson autori ,-duke i dhënë një mundësi tjetër, një dashuri tjetër.
Është për t’u adhuruar gjuha e përdorur. Mendoj se autori do të krijojë një fjalor me veprat e tij, ato janë të pasura me fjalë të vjetra që ai tenton t’i rifusë në përdorim duke dhënë edhe shpjegimin e tyre. Gjithashtu ai ka projektuar një stil të vetin që po bëhet përherë e më i dallueshëm. Kjo lidhet jo vetëm me trajtimin e subjekteve tërheqës, sepse një vepër nuk e bën ngjarja, por mënyra si tregohet ajo. Medi është një rrëfimtar që flet me një gjuhë të dashur për lexuesin, e ngarkuar me figuracion që herë-herë në trajtimin e skenave të ngarkuara emocionale i ngjan prozave të ëmbla poetike, madje edhe poezive kur ato shkruhen në rreshta të veçantë si vargje.
Gjithë gjethëria e Lepushetit vesonte përgjumshëm.
Kullonin çatitë.
Këndonte gushkuqi.
Përkundej përmallshëm maja e barit.
Një vetull mjegulle rrinte si vello nuseje mbi majë të malit...
Përdorimi i fjalive të shkurtra përbën universin e rrëfimit. Jo vetëm i jep intesitet mendimit, por e shkrin atë në pak fjalë duke nënkuptuar shumë të tjera. Përshkrimet e personazheve janë të plota dhe të sjellin një imazh të qartë të tyre si psh. përshkrimi i vajzave greke, me njërën nga të cilat u dashurua Azis Korbi në Greqi, por që mbeti një mollë e ndaluar për të: “vajzat e Elinohorit domethënë, e kishin trupin selvi, belin unazë, hundën qiri, vetullën shushunjë dhe flokët ujvarë. Dehej era kur u prekte buzën dhe u dukej uji në gushë.
Të verbonin me sy e të vrisnin me gjinj...por në kundërshti me gjithë këto i tingëllonin me forcë fjalët e shokut të tij: varu teneqenë! Duhet të ishte një punëtor kokulur, pa ëndrra,pa zemër, pa dashuri…
Konkretësia, gjuha e zgjedhur e ngritur poetikisht, nuancat e gjuhës së folur, individualizimi i personazheve, ngjyra dhe forca e përshkrimeve, i japin romaneve të Medit një tis klasik të realizmit magjik, që po fryn si një erë edhe në letërsinë shqipe.
Agron Tufa do të shprehet për këtë roman: “kam bindjen se është një ndër penat më të plota, mjeshtërore në stil, konceptim, gjuhë e kompozicion…Më ngjit realizmi (i ri) i Medit, poetika autentike e njeriut në situata ekzistenciale…, pastaj grotesku, disfatizmi dhe këmbëngulja e personazheve të tij…Proza e sotme bashkëkohore shqipe po lëviz, po merr vrull me lëndën e vet djegëse-me brengat, makthet, pengjet e shpresat e veta. Thanas Medi, jam i bindur se është në ballë të kësaj letërsie me veçanësinë e vet”
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com