TIRANË- Sali Berisha ka konfirmuar dështimin e negociatave brenda partisë e teksa nuk është larguar nga gjuha e ashpër dhe kërcënimet! Nga selia blu, Berisha ka paralajmëruar grupin e Enkelejd Alibeajt se nëse do të dalin të vetëm në zgjedhjet vendore “i kanë bërë hesapet shumë keq”. Se cili është kuptimi i kësaj deklarate të tij, ish-kryeministri iu përgjigj duke thënë se “do ta shohin në ditët në vijim” pa dhënë shumë detaje.

"Opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në këto zgjedhje. Një grup deputetesh erdhën pa asnjë lloj paragjykimi dhe prapamendimi që të bashkohen nëse donin, të garonin për cdo post në këto bashki, të paraqitnin kandidaturat ose në përputhje me staututin të krijonin fraksionin. Ata nuk duan, as statutin, as primaret. Ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë keq, kjo do të thotë do ta shifni ditët e ardhshme", tha Berisha.

Berisha e ka pranuar se shkak për dështimin e negociatave ka qenë pikërisht se ai vetë nuk ka hequr dorë nga kushti për të njohur statutin e PD-së së 11 dhjetorin, e rrjedhimisht edhe atë si kryetar të partisë.

“Statuti i 11 dhjetorit është Kushtetuta e pathyeshme e PD-së së Rithemeluar. Statuti është jashtë çdo lloj kompetence për tu shkelmuar. Ai është dokumenti bazë i PD-së në momentet kur ajo ndodhej përballë alternativës ‘të ishte apo jo’. Është themeli i saj, mbi të cilën është ngritur kjo forcë politike sot, më e fuqishme se kurrë dhe më e fuqishme se çdo forcë politike. Është ky statut që përbën themelet e fitores në zgjedhjet e 14 majit, por para saj leksionet historike që do të marrë çeta e vjedhësve, hajdutëve të Edi Ramës nga qytetarët shqiptarë”, vijoi ai.

Retorika e Sali Berishës, por edhe e mbështetësve të tij, sa vjen dhe bëhet edhe më e ashpër me paralajmërime e kërcënime. Pak ditë më parë, ka qenë Edi Paloka ai tha se “Rama duhet të bëhet burrë dhe të qëndroj në kryeministri në protestën e 12 nëntorit, njësoj siç bëri Berisha në 21 janar’, por mesa duket e ka harruar detajin se në atë protestë humbën jetën 4 persona të pafajshëm.