LUSHNJE- Punimet për rehabilitimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnje vijojnë prej 4 ditësh por pa dhënë rezultat.  Specialistët e Bordit të Kullimit po punojnë për rikthimin në funksion të tubit kryesor që shkarkon ujin e rezervuarit. Si fillim vendosën saraçineskën e re në pikën e daljes së ujit. Me agregatët e ‘Albepetrol’ hodhën ujë me presion por tubacioni nuk e ka përballuar presionin në pjesën fundore të digës. Kësisoj pritet që të mblidhen dhe specialistë të tjerë për të gjetur një zgjidhje.

Inxhinieret thanë jashtë kamerave se shkarkuesi është bllokuar me dhera. Dhe kjo erdhi pas boshatisjes së rezervuarit. Dherat e bllokuan veprën e marrjes së ujit dhe tubacionin rreth 180 metra të gjatë.

Sakaq, me mjetet e ushtrisë, peshqit e ngordhur po nxirren nga shtrati i rezervuarit dhe po transportohen drejt fshatit Pluk, ku po groposen në një tokë publike, larg banesave. Deri mëngjesin e së shtunës (3 tetor) u hoqën pothuajse gjysma e tyre.

Por çfarë ndodhi me rezervuarin?

Alarmi u dha më 29 shtator, kur sipërfaqja e rezervuarit pothuajse tërësisht e tharë nxori në pah tonela me peshq të ngordhur. Banorët hynë në llucë për të nxjerrë peshqit që ende lëvizte në ceketine. Një ditë më pas, më 30 shtator, në terren mbërritën forcat e ushtrisë, punonjësit e bashkisë dhe specialistët e Bordit të Kullimit. Nisi puna për largimin e peshqve dhe për zhbllokimin e shkarkuesit, i cili tashmë është mbushur me baltë.

Ndërkohë, Prokuroria e Fierit nisi hetimet për të gjetur përgjegjësin që dha urdhër për zbrazjen e rezervuarit, i cili solli ndotjen e madhe ekologjike. Në hetim është administratori i kompanisë “Fled”, Ferdinand Marra, që ishte kontraktuar nga Bashkia e Lushnjes për riparimin e shkarkuesit të digës.

Kontrata, me vlerë 32.9 milionë lekë, ishte lidhur në vitin 2025, ndërsa punimet ishin ndërprerë në shkurt të këtij viti për shkaqe ende të panjohura.

Sipas Bashkisë së Lushnjes, kompania ishte rikthyer në terren në shtator dhe kishte nisur boshatisjen e rezervuarit pa njoftim. Administratori, i cili hetohet në gjendje të lirë i mohon akuzat. Ai deklaron se aktualisht nuk po kryente punime dhe as nuk kishte dijeni për peshqit në rezervuar.

Hetimi pritet të nxjerre para drejtësisë personat përgjegjës, si në kompaninë private, ashtu dhe në bashkinë e Lushnjes që eshtë investitori i vepres ujembledhese.

Kasharaj është rezervuari i dytë më i madh në zonën e Myzeqesë,ndërtuar në vitin 1985. Ka një sipërfaqe ujore prej 190 hektarësh dhe kapacitet 11 milionë metër kub ujë. Ai është ndërtuar për ujitjen e tokave bujqësore. Për shumë vite është shfrytëzuar nga një subjekt privat per peshkim. Ai hidhte rasat në rezervuar dhe më pas shiste peshkun. Prej katër vitesh, licenca e subjektit është hequr dhe peshku në rezervuar u la në gjendje të lirë.

Paraprakisht vlerësohet se kanë ngordhur mbi 300 ton peshq, që do të kërkonte vite të tëra për t’u rikuperuar në kushtet natyrore të rezervuarit.

R.D/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 30 Shtator, 16:02

    Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?