Forcat e ushtrisë, me gomone e kamionë, mbërritën në liqenin e Kasharajt në Lushnjë për të pastruar tonelata me peshq të ngordhur. Pamjet e banorëve që zhyteshin në llucë për të kapur peshq bënë xhiron e rrjetit një ditë më parë. Ndotjen ekologjike e panë nga afër ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dhe kryebashkiakja e Lushnjës.

Sakaq, policia nisi hetimin në gjendje të lirë për administratorin e firmës “Fled” sh.p.k., Fredi Mara, që po kryente punimet për rehabilitimin e shkarkuesit. 58-vjeçari akuzohet se nuk mori masat e duhura për menaxhimin e ujërave, por vetë ai mohoi përgjegjësinë.

I pyetur se kujt i takonte përgjegjësia për peshqit e ngordhur, ministri i Bujqësisë ia ngarkoi atë pushtetit vendor, që është investitor i veprës ujëmbledhëse.

“Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë”, tha Salla.

Ndërsa kryebashkiakja Eriselda Sefa, e cila ishte e pranishme, nuk bëri asnjë koment.

Sakaq, inxhinieri hidroteknik i Bordit të Kullimit thotë se zbrazja e rezervuarit ishte e vetmja mënyrë për të hapur portat e bllokuara.

“Kjo është e parashikuar edhe nga rregullorja që thotë çdo fund shtatori duhet të kontrollohen shkarkuesit, kullat e marrjes së ujit. Ndërhyrja është e domosdoshme, ndryshe do të shkaktonte katastrofë në qytetin e Lushnjës. Nuk ka mënyrë tjetër për hapjen e portave të ujit”, tha Ferdinant Dervishi, inxhinier.

Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe prej 190 hektarësh dhe kapacitet prej 11 milionë metrash kub ujë. Ai shërben për ujitjen e tokave në Myzeqe dhe kultivimin e peshqve. Në vitin 2025, Bashkia e Lushnjës akordoi fondin prej 32,9 milionë lekësh për rehabilitimin e shkarkuesit. Punimet duhet të përfundonin brenda tre muajsh, por u ndërprenë për arsye të panjohura dhe afatet tashmë janë tejkaluar.

Nuk dihet ende se në çfarë rrethanash u shkarkua i gjithë uji i rezervuarit, duke sjellë ngordhjen masive të peshqve. Kjo pritet të zbardhet nga hetimet e prokurorisë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:23
Pastrimi i rezervuarit të Kasharajt vijon, Nufi: 49 efektivë, 11 mjete dhe 3 gomone të FA në terren

Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë vijon pas ngordhjes masive të peshqve që ndodhi pas zbrazjes së ujit për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit. Përmes fotove ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi se Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren në mbështetje të Emergjencave Civile dhe Bashkisë së Lushnjës.

Sipas Nufit, në operacion janë përfshirë 49 efektivë, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone të Forcës Tokësore dhe Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura.

"Lushnjë - ku efektivë dhe mjete të Forcave të Armatosura  po angazhohen bashkërisht me strukturat bashkiake në operacionin për menaxhimin e situatës së krijuar në rezervuarin e Kasharaj.

Në mbështetje të Emergjencave Civile të Bashkisë Lushnjë, në operacion për pastrimin e rezervuarit janë angazhuar 49 forca, 11 mjete vetëshkarkuese dhe 3 gomone nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse e FA 

Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt vijon me intensitet deri në normalizimin e plotë të situatës së krijuar" shkruan Nufi.