Armando Broja nuk po qëndron "mbi dafina" te Chelsea dhe sulmuesi i Kombëtares këtë e di shumë mirë. I shumë-kërkuar në dritaren e transferimeve të janarit, 22-vjeçari duhet të shfrytëzojë mungesës e Nicolas Jackson, kolegut në sulmin e Bluve që mori udhëtimin për në Afrikë, aty ku do luajë për Senegalin në Kupën e Afrikës.
"The Athletic", prestigjozja britanike i ka kushtuar një artikull të gjatë Brojës dhe formës së tij, duke cilësuar se shqiptari e di mirë se ky është momenti i tij.
Shkrimi i The Athletic
Kjo është mundësia që Armando Broja po priste dhe ai e di që duhet ta shfrytëzojë.
Këtë javë Nicolas Jackson mori fluturimin për t’u bashkuar me Senegalin në përgatitjet për Kupën e Afrikës, ku nëse Senegali shkon në finale, do të mungojë për plot 8 ndeshje të Chelseas.
Në mungesë te senegalezit, Broja është i vetmi qendërsulmues roli, Christopher Nkunku ka bërë 4 paraqitje pas dëmtimit në gju, por nuk konsiderohet si një udhëheqës për sulmin dhe gjatë kësaj periudhe trajneri Mauricio Pochetino pritet ta përdorë Brojën rregullisht, me sulmuesin shqiptar që ka luajtur një rol 'part-time' deri tani.
Pas 5 muajsh këtë sezon, Broja numëron vetëm 5 ndeshje si titullar dhe 9 paraqitje si zëvendësues, ka luajtur 448 minuta futboll dhe ende i duhet një shans për të luajtur një ndeshje të plotë. Koha më e gjatë që ka luajtur në një ndeshje janë 67 minutat që ju dhanë me humbjen 2-0 me Everton muajin e kaluar.
Arsyeja se përse kjo ka ndodhur është dëmtimin i rëndë që pësoi në dhjetorin e 2022, duke ju dashur një periudhë e gjatë, deri në shtator që të ishte gati sërish për të luajtur. Pas një kohe kaq të gjatë jashtë fushe është e kuptueshme se do t'i duhej shumë kohë për të fituar formën e duhur. Mungesa e një parasezoni të plotë ishte një disavantazh i madh për të, pasi nuk shkoi me skuadrën në SHBA, duke vazhduar programin e personalizuar në bazën e klubit në Cobham.
Ndërkohë pavarësisht dëmtimeve të shumta te Chelsea, Pochetino gjithsesi ka patur mundësinë për të zgjedhur rregullisht në sulm emra si Jackson, Raheem Sterling, Cole Palmer dhe Mykhailo Mudryk. Jackson, që u ble për 35 milionë euro nga Villareal verën e kaluar ka shënuar 8 gola, ndërsa Broja e ka gjetur rrjetën vetëm një herë, kundër Fulham, 3 muaj më parë.
Por Broja nuk e ka patur mundësinë për t'u futur në ritmin e ndeshjeve si duhet, për të siguruar një seri ndeshjesh që një lojtar ka nevojë për t’u rikthyer në formën më të mirë. Sulmuesit mund ta vuajnë më shumë në këtë aspekt, pasi paraqitja e tyre ka të bëjë me vetëbesimin dhe mprehtësinë e instiktit para porte.
Broja nuk është qarë, ai e kupton situatën dhe e di se duhet të ketë durim dhe dëshiron të ketë impakt në ndeshje. E bëri diçka të tillë ndaj Manchester Cityt kur me lëvizjen e tij në zonë, duke nxjerrë jashtë loje Ruben Diaz që shkaktoi një penallti të cilën Cole Palmer e shndërroi në golin e barazimit 4-4. Broja natyrisht do më shumë dhe te Chelsea presin më shumë prej tij.
Pochetino gjithmonë e ka inkurajuar si në publik ashtu dhe privatisht, duke dhënë një 'feedback' pozitiv për shqiptarin. Me tendencën e Chelseas për të shitur lojtarë të rritur në akademi për të siguruar përfitimet e nevojshme dhe respektimin e rregullave financiare, e ardhmja e Brojës është bërë objekt spekulimesh, edhe pse Chelsea refuzoi ofertat e West Ham për të duke firmosur një kontratë që e lidh me klubin deri në 2028.
Këtë javë ka patur zëra se Chelsea e ka ofruar atë si pjesë e një shkëmbimi për të marrë mbrojtësin e Benficës Antonio Silva, por The Athletic siguron se kjo nuk është e vërtetë. Gjithsesi zërat për Brojën janë të destinuar të vazhdojnë, pasi ka një seri klubesh në Angli dhe jashtë saj që po e monitorojnë situatën e tij dhe duan që të firmosin me të nëse kjo do të ishte e mundur.
Ndërkohë me Jackson të larguar, Broja ka mundësinë për të bërë në “Stamford Bridge” impaktin që ka dëshiruar. Në dispozicion do të jenë dy ndeshje të gjysmëfinaleve të Carabao Cup kundër Middlesbrough, plus 4 ndeshje të Premier League, që nëse fitohen mund ta çojnë Chelsean në një ndër vendet që sigurojnë futbollin europian verën e ardhshme.
Broja nga krahu i tij, ka motivimin ekstra me synimin për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Europian verën e ardhshme, me Sylvinhon që e ka takuar për t’i ofruar mbështetjen e tij. Gjithsesi fokusi kryesor për momentin është te Chelsea, me Brojën që më e pakta, do të mësojë në këto javët e ardhshme se sa i beson vërtet Pochetino.