Kolumbia prodhon sot më shumë kokainë sesa gjatë periudhës së Pablo Escobar, ndërsa Europa është kthyer në një nga tregjet më fitimprurëse për trafikun e drogës. Një hetim katërmujor i The Guardian zbulon se zgjerimi i trafikut të kokainës drejt kontinentit lidhet drejtpërdrejt me praninë gjithnjë e më të madhe të rrjeteve kriminale nga Amerika Latine, të cilat kanë krijuar lidhje të ngushta me organizatat mafioze europiane.
Hetimi, i bazuar në databaza, të dhëna nga policia dhe shërbimet e inteligjencës, si edhe intervista me gjyqtarë, prokurorë dhe ekspertë nga tetë vende, tregon se kartelet dhe grupet kriminale nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, Venezuela, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara janë aktive në të paktën 12 vende të Europës.
Mes viteve 2014 dhe 2024, sasia e kokainës së sekuestruar në Europë është rritur me 471%, ndërsa autoritetet kanë zbuluar gjithnjë e më shumë laboratorë për përpunimin e derivateve të kokainës. Sipas hetimit, shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, pasi janë përfshirë vetëm grupet, prania e të cilave është konfirmuar nga operacionet policore, hetimet ndërkombëtare dhe proceset gjyqësore në zhvillim.
Në listën e organizatave të identifikuara janë karteli meksikan Sinaloa, Karteli Jalisco New Generation (CJNG), Clan del Golfo, organizata guerile ELN dhe fraksione disidente të FARC në Kolumbi, grupet braziliane Primeiro Comando da Capital (PCC) dhe Comando Vermelho (CV), banda venezueliane Tren de Aragua, si edhe grupet Barrio 18 dhe MS-13.
Sipas The Guardian, këto organizata kanë forcuar praninë e tyre në Spanjë, Portugali, Holandë, Belgjikë dhe Francë, ndërsa aktiviteti i tyre është regjistruar edhe në Gjermani, Rumani, Kroaci, Sllovaki dhe Bullgari.
Daniel Brombacher, drejtor i Observatorit Europian në organizatën Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), tha se grupet kriminale latino-amerikane tashmë po veprojnë edhe në vende ku më parë nuk kishin krijuar infrastrukturë.
"Ky fenomen nuk kufizohet më vetëm te vendet tradicionale të hyrjes. Operacionet e fundit policore kanë zbuluar laboratorë metamfetamine të drejtuar nga meksikanë në jug të Francës, në verilindje të Polonisë dhe pranë Berlinit. Grupet latino-amerikane po shfaqen gjithashtu në Rumani dhe Bullgari përgjatë rrugës ballkanike", tha ai.
Hetimi citon edhe një raport të papublikuar të Prokurorisë së Sao Paulos, i parë nga The Guardian, sipas të cilit organizata braziliane PCC, grupi më i madh kriminal në Brazil, operon në 16 vende europiane, përfshirë Britaninë e Madhe, Irlandën, Islandën, Serbinë, Suedinë, Zvicrën dhe Turqinë.
Sipas raportit të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), prodhimi global i kokainës në vitin 2024 arriti në 3.800-4.700 tonë, më shumë se katër herë mbi nivelin e vitit 2014. Amerika Latine, veçanërisht Kolumbia, mbetet qendra kryesore e prodhimit, ndërsa sipërfaqja e kultivimit të kokës ka arritur nivel rekord.
Eksperti meksikan për krimin e organizuar, Víctor Manuel Sánchez Valdés, tha se prania e karteleve në Europë është edhe më e gjerë sesa mendohet.
"Karteli Sinaloa dhe CJNG janë të pranishëm në më shumë se 20 vende europiane. Kjo nuk do të thotë se i kontrollojnë ato vende apo kanë struktura të mëdha, por kryesisht veprojnë përmes përfaqësuesve të tyre të biznesit", tha ai.
Sipas hetimit, Europa është bërë një treg kyç për kartelet, pasi u siguron fitime më të larta se Shtetet e Bashkuara. Europol raportoi së fundmi se nga 731 rrjetet kriminale më të rrezikshme që veprojnë në Europë, 149 kanë lidhje me organizata kriminale nga Amerika Latine. Prej tyre, 67 kanë anëtarë latino-amerikanë, ndërsa 22 përbëhen kryesisht nga shtetas të Amerikës Latine.









Komente
Komento